Impiantet e gazit e naftës, nis rivlerësimi për sigurinë teknike
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave për projektvendimin e paraqitur “Për Marrjen e Masave Emergjente për Përmirësimin e Situatës së Sigurisë si dhe të Veprimtarive në Instalimet dhe Impiantet që Shërbejnë për Depozitimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënproduktet e tyre”. Qëllimi i ndërmarrjes së kësaj nisme është vendosja e gjendjes së sigurisë së nevojshme në veprimtaritë e depozitimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, marrja e masave të menjëhershme për eliminimin e rreziqeve evidente dhe dëmtimeve të mundshme të jetës, pronës dhe mjedisit, si dhe eliminimin e fenomenit të zhvillimit të këtyre aktiviteteve nga subjekte të papajisura me lejet përkatëse. Tregu i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre aktualisht është një treg i hapur dhe i liberalizuar, në të cilin operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet me “leje tregtimi” për tregtimin me shumicë të këtyre produkteve, si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). Një aspekt shumë i rëndësishëm në tregun hidrokarbur, për të cilin ka pasur jo pak shqetësime dhe komente gjatë këtyre viteve, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999, si dhe fillimi i procesit të licencimit, ka qenë ai që ka të bëjë me aktivitetin e tregtimit me pakicë dhe posaçërisht me pajisjen me lejet përkatëse sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi (me “autorizime” të lëshuara nga organet e pushtetit vendor) të stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngëzuar për automjete dhe vajrave lubrifikante, si dhe stacioneve të shitjes me pakicë të GLN-së. Në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet të tregtimit me pakicë të karburanteve për automjete rreth 870 stacione dhe rreth 110 stacione të shitjes me pakicë të GLN-së, shpërndarja e të cilave sipas prefekturave është: Tiranë 141 stacione; Korçë 72 stacione; Durrës 82 stacione; Elbasan 71 stacione; Fier 150 stacione; Lezhë 58 stacione; Vlorë 90 stacione; Shkodër 62 stacione; Berat 43 stacione; Dibër 30 stacione; Gjirokastër 44 stacione; Kukës 27 stacione. Me gjithë kërkesat që ka përcaktuar kuadri ligjor në fuqi për pajisjen me “autorizim” për stacionet e shitjes së karburanteve që aktualisht bëhet nga organet e pushtetit lokal dhe vetëm për autostradat nga ministria përgjegjëse për transportin (MPPTT), nga kontrollet e ushtruara nga ana e strukturave përgjegjëse për këtë qëllim, sikurse është Inspektorati Qendror Teknik, situata paraqet mjaft probleme, që nga moszbatimi i detyrimit për pajisjen me “autorizim” deri tek ndërtimi i stacioneve dhe ushtrimi i aktivitetit jashtë kushteve teknike në fuqi. Me qëllim përmirësimin rrënjësor të situatës në këto veprimtari, si dhe zbatimin korrekt të legjislacionit përkatës në fuqi, nëpërmjet përgatitjes dhe miratimit të këtij projektvendimi kërkohet vendosja e gjendjes së sigurisë në sektorin e depozitimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve te tyre dhe rivlerësimi i fenomenit të zhvillimit të këtyre aktiviteteve nga subjekte të palicencuara.