E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare i rilexuar



“Kadare i rilexuar” është vepra studimore që studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka po përgatitet të nxjerrë në treg, pas një pune trevjeçare. Studiuesi Gjoka tregon se në këtë vepër analizon krijimtarinë e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, duke iu përmbajtur disa standardeve analitike letrare. “Letërsia përbëhet nga 3 elementë kryesorë thelbësorë, autori, teksti dhe lexuesi. Midis këtyre elementëve, mendoj se diferenca është autori dhe lexuesi, të cilët janë pjesa e lëvizshme, ndërsa teksti është ai që qëndron gjithmonë", - shpjegon studiuesi Gjoka, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit me tekstin. Ai është i mendimit se “Letërsia shkruhet për t'u shijuar si art e jo për të materializuar idetë”. Autori i ka kushtuar kohë të gjatë kësaj vepre, pasi është i mendimit se shkrimtari Ismail Kadare është më i lexuari si dhe i jashtëzakonshëm. Gjoka tregon se me titullin që i ka vendosur librit “Kadare i rilexuar” paraqet veprat e Kadaresë, por kësaj here të analizuara. “Kadare është emërtuar si “shkrimtari i diktaturës” dhe kjo qëndron në kuptimin e periudhës që nisi krijimtarinë letrare: në poezi, prozë dhe eseistikë, ku dhe fitoi emër si dhe famë pikërisht në atë kohë”, - thotë Gjoka.

Krijimtaria letrare e Gjokës shtrihet në dy kohë, para viteve ‘90 (koha e diktaturës) dhe koha pas këtyre viteve, e cila përkon me demokracinë. Gjoka ka shkruar libra, studime letrare, si “Proza e Kutelit” etj. Studiuesi dhe shkrimtari Gjoka aktualisht punon pranë Institutit të Monumenteve, në Zyrën e Marrëdhënieve Publike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›