E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rai Uno, Shqipëria, një vend i sigurt dhe i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit



Një vend i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit dhe industrisë, por edhe një vend i sigurt, është cilësuar Shqipëria në një telereportazh të televizionit të njohur italian Rai Uno. Në telereportazhin e transmetuar nga Televizioni Publik Shqiptar, Shqipëria merr sërish vlerësimet pozitive nga mediat ndërkombëtare, si një vend që shumë shpejt do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, falë zhvillimit të shpejtë në infrastrukturë dhe ekonomi, por edhe në luftën me zero tolerancë ndaj krimit. Shqipëria përshkruhet si vendi i Nënë Terezës, me një rivierë të mahnitshme prej 474 km, që të ofron plazhe të ndryshme me rërë dhe gurë, faunë dhe florë të pasur. Udhëtimi i gazetares italiane në rivierën shqiptare, nga Durrësi deri në Sarandë pasqyron një vend në zhvillim. Diversiteti i rivierës, ku po punohet shumë për përmirësimin e infrastrukturës, e bën Shqipërinë një vend edhe më tërheqës për turistët. Kamera italiane fokuson industrinë e peshkimit, e cila siguron punësimin e një pjese të konsiderueshme të banorëve të qyteteve bregdetare shqiptare. Kjo industri, shprehet gazetarja italiane, është zhvilluar si pasojë e teknologjive të reja dhe cilësisë së peshkut, i cili edhe eksportohet. Shqipëria tashmë është një vend i sigurt. “Është bllokuar në masë trafiku i paligjshëm dhe po punohet me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - cilëson gazetarja italiane, e cila për të argumentuar këtë kishte marrë në intervistë dhe një bashkatdhetarin e saj që punon në Shqipëri. Bashkëpunimi me Rojën Bregdetare italiane ka sjellë dhe trajnimin e punonjësve të policisë kufitare, me qëllimin e vetëm bllokimin e trafiqeve të paligjshme, dukuri që ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, krahas bunkerëve të shumtë, trashëgimi nga e kaluara, të kujtojnë bregdetin mesdhetar në kohën e Uliksit, ku brigjet e paeksploruara të befasonin kudo. E ndalur në qytetin e Sarandës, në kopshtin e motrave "Marcid-it", gazetarja italiane nuk ka si mos të vërejë dëshirën e fëmijëve për të mësuar shpejt. Në këtë kopsht dhe nën drejtimin katolik vijnë fëmijë të të gjitha besimeve, gjë që tregon qartë tolerancën fetare në Shqipëri. Në telereportazhin e Rai Uno-s i kushtohet një vëmendje edhe traditës shqiptare, mikpritjes së shqiptarëve, por edhe valleve dhe këngëve që përfaqësojnë një kulturë të veçantë. Sipas gazetares italiane, krahas bukurive natyrore, Shqipëria është interesante edhe për trashëgiminë kulturore. Qyteti antik i Butrintit, i cili pret çdo vit mijëra vizitorë, e tregon më së miri këtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›