Kërcënojnë me vetëvrasje kolektive, 30 gra hipin në kullën e Kokësit
Ngjarja, në një nga rafineritë e naftës në Ballsh
Njëra nga punëtoret është lyer me benzinë
“Rishikoni listat e shkurtimeve dhe kriteret, ose ndryshe ne do hidhemi nga kulla”. Me këto fjalë, 30 gra, të gjitha punonjëse të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, por që para pak ditësh janë prekur nga reforma, kanë mbajtur nën tension jo vetëm policinë e drejtuesit e firmës, por edhe vetë të afërmit e tyre. Me një gjest demonstrativ, mesditën e djeshme ato janë ngjitur në nga kullat më të larta të rafinerisë, e njohur si kulla e Kokësit dhe kanë kërcënuar se do të hidhen që lart. Jo vetëm kaq, por njëra nga punëtoret është spërkatur me benzinë dhe ka paralajmëruar se në rast se nuk rikthehet në punë do t’i vinte zjarrin vetes. Ndër kërkesat e naftëtarëve, që në total janë rreth 120, ka qenë rishikimi i kritereve për personat që duhet të lënë punën, pasi sipas tyre, tashmë ato kanë një vjetërsi të madhe në këtë kombinat.
Në këto kushte, punonjësit e policisë së Ballshit nuk ka mundur të bëjnë dot asgjë, madje ata kanë marrë urdhër të largohen nga vendngjarja, për të mos provokuar irritimin e turmës së ish-punëtoreve.
Gjatë protestës, në vend nuk është parë asnjë nga drejtuesit e lartë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës për të negociuar me gratë. Vetëm pas disa orësh, fatmirësisht gjithçka ka përfunduar pa incidente, megjithatë të mbetura pa punë, gratë kanë deklaruar se protesta e tyre do të përshkallëzohet deri në masa ekstreme. Katër ditë më parë këto gra u hodhën në protesta përpara dyerve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, ku denoncuan shkurtimet e tyre, duke pohuar se shumë persona të paaftë dhe pa eksperiencë vazhdojnë të jenë në marrëdhënie pune, ndërkohë që shumë specialistë janë prekur pa të drejtë.
Të prekura papritur nga e ashtuquajtur reformë në Kombinatin e Përpunimit të Naftës në Ballsh, 30 gra, ish-punonjëse, kanë hipur dje në kullën e Kokësit, që ndodhet brenda ambienteve të kombinatit, duke kërcënuar se do hidhen nga lart.
Të mbështetura edhe nga ish-koleget e tjera, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhjetëra gra kanë hyrë në ambientet e brendshme të kombinatit, duke kërkuar rikthimin në punë.
Situata është rënduar tej mase pikërisht kur njëra nga protestueset është lyer me benzinë në majë të kullës dhe ka kërcënuar se në rast se nuk i plotësoheshin kërkesat, do t’i vinte flakën vetes. Sikur të mos mjaftonte kjo, dy prej protestuesve femra u ka rënë të fikët për shkak të gazrave që dilnin nga kulla e Kokësit. Në këto kushte, policia ka sjellë në vend një ambulancë, ku janë transportuar me urgjencë në spital dy gratë e intoksikuara, ndërkohë që një gjë e tillë u kanosej edhe të tjerave. Deri në mesditë, asnjë drejtues i lartë i Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës nuk ka shkuar të negociojë me ish-punonjëset.
Në vend kanë mbërritur edhe forca të shumta të policisë, që kanë tentuar të bindin gratë të zbresin nga kulla dhe më pas të nisin bisedimet. Por, në pamundësi për të bindur grevistet, pas disa minutash policia është larguar për të mos provokuar irritimin e mëtejshëm të tyre. Vetëm pas disa orësh, situata dramatike në ambientet e kombinatit të naftës është mbyllur fatmirësisht pa incidente, por që ish-punonjëset janë shprehur për protesta më të ashpra, në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre.
Shifra
120 punëtore femra janë prekur nga reforma në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh
30 gra janë ngjitur në kullën e Kokësit dhe kanë kërcënuar se do të hidhen që lart
2 prej tyre janë intoksikuar nga gazrat që dilnin nga kulla e naftës në kombinat
Vendimi
I ndryshohet akuza, Gjaci dënohet vetëm me 2 muaj për kanosje
I ndryshohet akuza për të cilën ishte hetuar dhe gjykuar nga Krimet e Rënda, dënohet vetëm me 2 muaj burg. Në përfundim të gjykimit, pas provave të serviruara nga prokuroria e avokati mbrojtës, togat e zeza vendosën të dënojnë vetëm për akuzën e kanosjes të pandehurin Nikolin Gjaci, i cili akuzohej nga Prokuroria për “shtrëngim me kanosje për dhënie të pasurisë”. Gjaci akuzohet se kërkonte dëmshpërblimin që i takonte në shkëmbim të furnizimit me lëndë drusore, por u padit fillimisht nën akuzën e “shtrëngimit me kanosje për dhënie të pasurisë”. Nikolin Gjaci, me origjinë nga Rrësheni dhe furnizues i firmës "Morina", akuzohet për këtë krim të kryer në Lezhë pak kohë më parë. Gjatë shpjegimeve të dhëna pas arrestimit, i dyshuari ka shpjeguar se nuk ishte paguar për lëndën drusore nga Met D., ndërkohë që kërkonte vetëm paratë që i takonin. Debati mes furnizuesit dhe klientit ka nisur për një borxh prej 280 mijë lekësh, ndërkohë që nga Gjaci u pretendua se kishte kërkuar vetëm 4 mije lekë dhe përsëri këto para nuk i ishin dhënë.
Bulqizë
Tjetër minator i plagosur në minierë
Një rrëshqitje e pusit të nëndheshëm ka zënë poshtë 35-vjeçarin Myslym Dagja, duke e plagosur atë rëndë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në minierën e Bulqizës në zonën D të kësaj të fundit. Ky incident shënon një rritje të numrit të minatorëve të dëmtuar dhe gjithashtu të vdekur nga këto miniera vdekje. Aksidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli që po bënte i dëmtuari në zonën D të kësaj miniere. Pas kësaj, 35-vjeçari i aksidentuar është sjellë menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në fakt ministri i Energjetikës, Genc Ruli, kishte urdhëruar pezullimin e punës në zonën D të minierës së Bulqizës, por pavarësisht kësaj, minatorët ishin urdhëruar të punonin nga koncesionarët e huaj. Zona D njihet si më e rrezikshmja në minierën e Bulqizës. Nga kjo duket qartë se viktimat në këto ndërtesa vdekjesh do të shtohen, në qoftë se nuk merren masat e nevojshme.
Kavajë
Ndalohet shoferi që aksidentoi kalimtarin
Policia e Kavajës ka bërë të mundur dje arrestimin e shoferit të automjetit tip “Benz” me targa KJ 6984, i cili aksidentoi Demir Shulin dy ditë më parë. Xhevat Allushi, 58 vjeç nga Kavaja, pasi aksidentoi Shulin, iku menjëherë nga vendngjarja. Sipas burimeve të policisë, mësojmë se ndalimi i autorit të aksidentit u bë në mënyrë flagrante, pasi forcat e komisariatit të Kavajës ishin vënë në gjurmë të këtij të fundit nga burime konfidenciale. Ngjarja ndodhi ditën e diel, në superstradën Kavajë-Rrogozhinë, kur Shuli banues në Shkozet të Durrësit po kalonte në këtë rrugë, ku gjeti dhe vdekjen e menjëhershme. Burimet bënë me dije se u kryen veprimet procedurale dhe materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithashtu, prokuroria ka vazhduar hetimet për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Tiranë
Vodhën firmën e pijeve freskuese, kapen autorët
Grabitën firmën e pijeve freskuese “Alba Eureka” dy ditë më parë, por bien në duart e policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së dielës në rrugën “Konferenca e Pezës”, ku dy të arrestuarit Edison Mali, 25 vjeç nga Tapiza e Tiranës dhe Fatmir Pyka, 24 vjeç po nga Tirana dyshohet se kanë vjedhur 5 fuçi birre metalike. Po kështu, lidhur me ngjarjen janë kryer veprimet procedurale, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti me targë TR 5167 M, me të cilin është kryer transporti i fuçive të vjedhura. Gjithashtu, burimet u shprehën se materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim. Do të jetë grupi hetimor ai që do të bëjë të mundur zbardhjen e çështjes në fjalë.
Tropojë
Asgjësohen 2300 rrënjë kanabis sativa
Policia e Tropojës, pasi ka mundur të zbulojë ekzistencën e 2.300 rrënjëve narkotike kanabis sativa, i ka asgjësuar ato. Bimët ishin mbjellë në tre parcela në Lekbibaj, rreth 60 km larg këtij qyteti. Lidhur me ngjarjen nuk ka asnjë të arrestuar, sepse bimët ishin mbjellë shumë larg fshatit dhe tokën e mbjellë nuk e ka asnjë pronar. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "forcat e policisë së Tropojës asgjësuan në orët e vona të mbrëmjes së kaluar 2.300 rrënjë bimë narkotike "kanabis sativa", të mbjella në tre parcela në fshatin Curraj i Epërm". Zona e Lekbibajt është ende një nga më problematiket për kultivimin e kanabisit. Vetëm vitin e kaluar nga forcat e policisë u asgjësuan rreth 22 mijë rrënjë kanabis sativa, ndërsa u ndaluan 3 persona.
Durrës
Ndalohet kosovari, tentoi të kalonte me pasaportë jugosllave
Tentoi të kalonte në territorin shqiptar me një pasaportë jugosllave të një tjetër shtetasi, por që u zbulua nga policia e portit në Durrës. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në Durrës, ku shtetasi kosovarë, Mehmet Gashi 34 vjeç, banues në Prishtinë, është ndaluar nga policia e portit. Ndalimi i këtij të fundit u bë, sepse kosovari ishte duke abuzuar me ligjin, lidhur me pavërtetësinë e dokumentacionit. Sipas burimeve të policisë bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i pasaportës në fjalë. Gjithashtu, materialet procedurale për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.