E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulla... si emocion prej guri

“Kulla në qerpik të diellit”, që në titull të provokon ndjesitë emocionale me forcën e saj si metaforë. Dikush në fillim mund të vrasë mendjen nëse poeti Fran Ukcama e ka pasur seriozisht kur e ka zgjedhur si titull, apo ka dashur të bëjë një shaka të lehtë me të si lexues; dikush tjetër mund të zgjedhë vetëm të përkundet nën dritën ylberore që çon nga lart “kulla” e poetit, ndërsa për sa i përket mendimit tim, nuk ka hiç rëndësi nëse poeti ka dashur të lozë apo të tregojë një imazh, përmes të cilit mund të lexohen dhjetëra interpretime. Rëndësia për mua qëndron tek fakti se qoftë tek njëri apo tjetri rast, forca e artit do t’i bëhet lehtë cilitdo, shtysa për të qenë, sado përkohësisht, bujtës i kësaj “kulle”. Mandej, po të thellohemi pak dhe ta vështrojmë këtë “kullë” në rrafshin semantik, duke iu shmangur përjetimit fluturak të çastit që të fal me ngarkesën figurative të toposit të pabesueshëm ku është vendosur, dallojmë morinë ambigue të leksemave që burojnë prej saj.

Në frazeologjinë e popullit tonë ekziston prej shekujsh Kulla e Ngujimit, e cila njihet si vendi ku strehohej familja e kërcënuar me jetën; në frazeologjinë e artit ekziston Kulla e Fildishtë, si vend i ëndërrt ku mbyllet artisti vetmitar për të përmbushur misionin e tij krijues; kulla është simbol i izolimit pa rrugëdalje; kulla është simbol i krenarisë dhe i qëndresës, mandej s’duhet harruar se vendlindja e autorit është dhe vetë vendi i kullave dhe se autori e ka mbartur me vete ngado urtësinë, bujarinë dhe krenarinë e banorit të Kullës.

Duke u përballur me “kullën” e Ukcamës, të gjitha këto interpretime mund të të radhiten në kujtesë, por siguria në saktësinë e tyre të përforcohet vetëm pasi ke mbaruar vizitën në çdo “odë”, pasi ke takuar çdo personazh të saj, dhe... ke mbyllur librin, domethënë, atëherë kur ke dalë nga kulla, në rrugën e madhe që e çon çdo njeri drejt fatit të tij.

Atëherë bindesh që “kulla” e Franit është vendosur bash atje ku duhet, në lartësitë ylberore të vetive njerëzore, në lartësitë e mendimit, por dhe të artit poetik. Në faqet e këtij libri shpaloset përmes përjetimesh e përsiatjesh ëndërrtare jeta e autorit; fëmijëria dhe djalëria e largët e kaluar larg atje në Alpe, në vendin e kullave; vitet e rinisë dhe gjithçka e kaluar më pas në Myzeqe; hallet e dertet e jetës që ka kaluar njeriu-poet gjatë rrugës së tij të gjatë; koha pa kthim që vetëm ikën e ikën duke lënë pas - si stuhia e një nate vjeshte në parkun e qytetit, gjethet e vyshkura të panjave - kujtimet e dhimbshme në kujtesën e poetit.

Në “kullën” e Franit kanë mbetur të gjitha; tablotë e çeltinave gjelbëroshe të Tropojës, ku gjithmonë pret gjyshja me epikën e saj; djepi i ferishteve e arkëmorti fatal; lahuta e këngëve kreshnike dhe syri vigjilent i frëngjive; kroi ku takoheshin të rinjtë dhe karakollet e pusive; shamitë e nuseve dhe qeleshet e bardha të pleqve; ulërima e ujkut dhe vajtimi i trishtë i erës; malli i së shkuarës dhe befti i modernes.

Poeti e jeton thellë kohën dhe këto raporte njeri-kohë bëhen tematikë e unit lirik në poezinë e tij. Poeti e ndien në çdo qelizë atdheun dhe ky atdhe fillon bash nga vendlindja e tij.

Atdheu, si tematikë është shumë i pranishëm dhe çdo herë është trajtuar përmes një pikëvështrimi të ri; herë duke sjellë një rivlerësim, e herë duke sjellë risime idesh, pikëpamjesh dhe teknikash të vargëzimit.

Objekt tjetër i tematikës së Ukcamës bëhen raportet sociale të ditës dhe protagonizmi gjithëkohor i atyre që për autorin, luajtën apo luajnë rol të rëndësishëm aktiv në kuadrin e kësaj shoqërie dhe që bëhen pjesë e interesave të autorit. Një vend të spikatur zë poezia e peizazhit, e cila tek Ukcama, në fakt nuk qëndron si e tillë në formën e një tabloje thjesht ekzotike, por mbarset me elementë meditativë dhe filozofikë që ravgojnë të shprehin semantikën e vetë jetës. Përveç këtyre, duhet nënvizuar edhe lirika e dashurisë, e cila zë një vend të konsiderueshëm në tërësinë e vëllimit. Tonaliteti i kësaj lirike është unik, i ëmbël dhe i sinqertë, ashtu siç është në përgjithësi tonaliteti i krejt librit. Por nganjëherë, sidomos motivet sociale, autori i trajton dhe nën tisin e një ironie të hollë e cila hera-herës merr përmasat e sarkazmës. Tonaliteti ironik, sarkastik apo polemik krijohet atëherë kur autori përballet me fenomenin e papajtueshëm si: vesin, arrogancën, mashtrimin apo korrupsionin e pushtetit, mohimin kryekëput të traditës nga brezi i ri, pa e pasur të qartë vizionin e së sotmes dhe pa depërtuar në vlerat e së djeshmes.

Në aspektin stilistik libri paraqitet i pasur, si në shprehjen gjuhësore, ashtu dhe në atë semantike, gjë që tregon për mjeshtërinë dhe vlerësimin e këtyre efekteve estetike nga ana e autorit, sepse pa to, mesazhi poetik mbetet gjë e thatë, e mangët dhe deklamative. Ndërsa në planin e teknikave të vargëzimit, Ukcama përsëri tregon se është një njohës i hershëm i tyre, prejse ai di të përdorë dhe të shfrytëzojë sipas qëllimeve të tij dhe natyrës së vetë motivit që trajton, një larmi të madhe formash të strofës, të vargut apo të rimës. Pas një bashkëpunimi shumë të gjatë me faqet kulturore të shumë gazetave për fëmijë dhe të rritur, në Shqipëri dhe në Greqi; pas botimit të një numri relativ librash me vjersha dhe romane për fëmijë, Fran Ukcama së fundi prezantohet para lexuesit të poezisë me këtë përmbledhje poetike, e cila dëshmon interesa dhe shqetësime të thella sociale e intelektuale, si dhe finesë e shije estetike në çdo fjalë e në çdo varg që sjell.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›