E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare nderohet me çmim në Spanjë, fiton përballë 31 shkrimtarëve të tjerë

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare merr çmimin e madh spanjoll, Princi i Asturias për Letërsinë (Prince of Asturias Aëard for Letters), një nga çmimet me prestigjoze në botë në këtë fushë. Sipas gazetës së njohur spanjolle, "El Mundo" kandidati shqiptar për çmimin "Nobel" e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabucchi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Gjithsesj 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon "atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë".
Duke iu referuar "El Mundo-s", gazeta e cilëson dhe një herë Kadarenë si një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në vitin 1963 kur ishte vetëm 25 vjeç, roman, sipas së cilës, "Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës". "Kadare është një studiues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi Ballkanik", shkruan "El Mundo", duke cituar se veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës.
Kadare fitoi në Angli pak vite më parë çmimin "Man Booker" mes titanëve të letërisë botërore si Garcia Markez, por ajo që ai dhe shqiptarët presin është fitimi i çmimit "Nobel" për të cilin është kandidat prej disa dekadash.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›