E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare për Nobel, për herë të parë zyrtarisht

Letra e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, drejtuar Akademisë së Nobelit, nuk është gjë tjetër, veç një detyrë burokratike -është neglizhuar nga paraardhësit – që instancat më të larta të një vendi, dhe akademitë duhet të përmbushin për një rast si ky i propozimit zyrtar të shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2009.

Mësohet që Topi të ketë pasur konsultime edhe me botues të huaj prestigjiozë që botojnë Kadarenë në gjuhë si, frëngjishtja apo gjermanishtja, për të hedhur këtë hap “politikisht korrekt” për një propozim të vonuar.

Procedura e emërimit për çmimet Nobel ka një cikël të vetin dhe dhjetori - pak ditë pas ceremonisë zyrtare për dhënien e çmimeve Nobel të vitit që shkoi - është koha e duhur që secili vend të bëjë propozimet zyrtare për arritjet që vlerësohen me këtë çmim, që prej vitit 1901, në fushat fizikë, kimi, psikologji ose mjekësi, letërsi dhe paqe.

Prandaj, Presidenti i vendit, pikërisht dje, ka dalë me këtë deklaratë publike për mbështetjen që ai si kreu i Republikës i jep shkrimtarit Ismail Kadare.

U bënë gati pesë vjet që emri i Kadaresë lakohet në listën e ngushtë të kandidatëve për Nobelin e Letërsisë, si kandidatë ndër emrave të njohur të letërsisë botërore.

Në mjedisin shqiptar, sa herë vjen vjeshta, “stina e Nobelit”, opinioni ndahet më dysh: në ata që mendojnë se Kadare e meriton dhe e ka merituar prej kohësh çmimin Nobel dhe në ata që dyshojnë rëndë në rolin e veprës së tij letrare dhe të Kadaresë për raportet me diktaturën, për fqinjësinë mes tyre. Ky është krahu që refuzon kategorikisht ta quajë disidente atë vepër që krahu përballë e vlerëson si një vepër që ka raportuar në mënyrë alegorike jetën nën një regjim kriminal dhe diktatorial.

Kadare i ka komentuar gjithmonë zërat pro dhe kundër për këtë aspekt të veprës dhe personalitetit të tij. Në një intervistë të fundit, ai është shprehur: “Zakonisht flitet për servilizmin e letërsisë në regjimet totalitare ndaj regjimit totalitar. Dhe është e drejtë, sepse një pjesë e madhe e letërsisë kështu ka qenë. Ka qenë e përulur, e kemi ende sot që janë të rralla regjimet totalitare, si në Korenë e Veriut, që as nuk bëhet fjalë që letërsia të ketë më të voglën pavarësi apo dinjitet. Por mendoni si ka qenë përpara, kur gati gjysma e botës ka qenë komuniste. Sepse harrohet gjithmonë se një hapësirë e madhe gjigante është shumë më shtypëse se sa diktatura të veçuara si janë tani. Dhe prapë flitet për servilizmin e artit dhe letërsisë ndaj regjimeve, por rrallëherë flitet për servilizmin e kundërt. Është i njohur servilizmi i regjimeve të ashpra diktatoriale ndaj artit.”

Ai ka komentuar për të disatën herë edhe kandidaturën e tij për Nobel. Por në të njëjtën intervistë, komenti i Kadaresë erdhi në një formë tjetër:

“Po ju them një gjë të sigurt, është më shumë e rëndësishme për ju se për mua, ju në këtë rast jeni shoqëria shqiptare dhe është e natyrshme. Popujt e vegjël, popujt që kanë vuajtur nga mosnjohja, nga izolimi, i japin një dramacitet më të madh, siç duket, këtij çmimi.”

Për hir të së vërtetës, mbështetja nga institucionet zyrtare shqiptare për të paraqitur emrin e tij në listën e Nobelit, Ismail Kadaresë nuk i ka ardhur asnjëherë publikisht. Ajo që bëri Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe disa akademikë shqiptarë, 2-3 vite të shkuara, mund të quhet një nismë, por Nobeli ka një procedurë gati njëvjeçare, një aplikim që i përgjigjet në fakt ftesës së përçdovitshme të Akademisë Suedeze.

Emri i Ismail Kadaresë u paraqit si kandidaturë për Nobel edhe në vitin 2005, vit kur shkrimtari shqiptar u vlerësua me tjetër çmim prestigjioz. U bë fitues i të parit edicion të Man Booker International Prize, që i jepet çdo dy vjet një shkrimtari të gjallë për arritjet në letërsi.

Si shkohet për tek Nobeli i Letërsisë

Akademia suedeze është përgjegjëse për të zgjedhur laureatin e Nobelit për Letërsinë. Ajo përbëhet nga 18 anëtarë të përhershëm. E njohur si De Aderton (Të tetëmbëdhjetët), anëtarët e saj aktualë janë shkrimtarë të njohur suedezë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë, historianë dhe juristë të mirënjohur. Pjesa kryesore aktive e akademisë është Komiteti i Nobelit, i zgjedhur prej anëtarëve të tij me një mandat 3-vjeçar. Çdo vit komiteti fton mijëra anëtarë akademish, profesorë universitarë, shkencëtarë nga shumë vende, laureatë të Nobelit, anëtarë të asambleve parlamentare dhe të tjerë, duke u kërkuar atyre të paraqesin kandidatët për Çmimet Nobel për vitin e ardhshëm. Askush nuk mund të nominojë vetveten.

31 janari është ditat e fundit për paraqitjen e emrave për miratim nga Akademia.

Prilli është faza paraprake e selektimit të kandidatëve. Pas disa shqyrtimeve të mëtejshme, komiteti arrin në zgjedhjen e 15–20 emrave si fazë e parë.

Në maj paraqiten kandidatët përfundimtarë dhe komiteti e shkurton listën deri në pesë kandidatë që do të merren në konsideratë nga Akademia.

Qershor-gusht, anëtarët e akademisë lexojnë dhe diskutojnë veprën e kandidatëve në fjalë. Komiteti i Nobelit, gjithashtu, përgatit raporte për secilin.

Në shtator, anëtarët këshillohen dhe diskutojnë vlerat dhe kontributin e secilit kandidat.

Në fillim të tetorit zgjidhet laureati për Letërsinë, i cili duhet të ketë marrë më shumë se gjysmën e votave të llogaritura.

Në dhjetor, fituesi merr çmim në Stokholm.

Për çdo çmim jepet një medalje, një diplomë personale dhe një shumë parash, që aktualisht kap vlerën 800 mijë dollarë.

Me Nobelin për letërsinë janë laureuar, prej vitit 1901, 105 shkrimtarë. Fituesi i parë ka qenë shkrimtari francez, Sully Prudhomme dhe i fundit, është prapë francez, Jean-Marie Gustave Le Clézio. 

Presidenti i Republikës i ka dërguar një letër zyrtare Akademisë duke vlerësuar arritjet e shkrimtarit të njohur

Topi propozon Kadarenë për çmimin Nobel

“Në sistem të mbyllur, ai shkroi letërsi me frymë evropiane, të lirë e emancipuese”

TIRANË- Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është propozuar për herë të parë si kandidat për çmimin Nobel nga vetë shteti shqiptar. Ka qenë presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i cili pas një sërë konsultimesh me Akademinë e Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personalitete të spikatur të artit e të kulturës shqiptarë dhe të huaj, i ka dërguar një letër Akademisë së Çmimit Nobel, në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare për marrjen e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2009.

Burimet zyrtare të presidencës pohuan se kjo ndërmarrje nga ana e kreut të shtetit bëhet në të mirë të njohjes së mëtejshme dhe rritjes anembanë botës së imazhit të Shqipërisë, kombit shqiptar dhe vlerave të tij të rralla artistike, kulturore dhe letrare, të cilat frymëzuan shkrimtarin Ismail Kadare. Në letrën zyrtare të dërguar prej tij në Akademinë e Çmimit Nobel, Presidenti i Republikës ka pohuar se shkrimtari i njohur është ndër të vetmit që në një sistem të mbyllur ka arritur të bëjë një letërsi me frymë evropiane. “Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, t’i drejtohem Akademisë suaj të nderuar duke ju propozuar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin Nobel në letërsi për vitin 2009. Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit. Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar”,- thuhet në letrën e presidentit të republikës, Bamir Topi.

Sipas tij, Ismail Kadare ka qenë shpesh herë pre e insinuatave të padrejta, të cilat e kanë penguar të fitojë çmimin prestigjioz. “Si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, nuk kanë munguar insinuatat e pabazuara. Shteti ynë demokratik e njeh mirë këtë shkrimtar, i cili ka një integritet të lartë moral. Është ky shtet demokratik, i cili menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, i dha Kadaresë titullin më të lartë moral "Nderi i Kombit". Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zenë fill edhe tek vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajë lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Kadaresë janë padyshim, pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare, dhe përbëjnë gjithashtu vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore botërore”,- thuhet në letrën që i është dërguar Akademisë së Çmimit Nobel. Në të kreu i shtetit ka vlerësuar arritjet e shkrimtarit më të madh shqiptar dhe ka kërkuar që ai të marrë nderimet që meriton. “Për gjithçka që përfaqëson Ismail Kadare dhe vepra e tij, jam i mendimit se meriton të nderohet me çmimin e lartë Nobel prej Akademisë suaj”, përfundon letra e kreut të shtetit, Bamir Topi.

Kadare: Kush më pengoi për çmimin Nobel

Në vizitën e fundit në qytetin e Gjirokastrës dhe shtëpinë e tij, shkrimtari Ismail Kadare ka komentuar edhe arsyet përse e kanë mbajtur për vite me radhë larg çmimit Nobel. Pikërisht atë ditë shkrimtari ka akuzuar Shqipërinë që ka luajtur një rol negativ dhe pikërisht një ish-ambasador në Suedi si pengesën më të madhe. “Një ish ambasador i Shqipërisë në vendin ku jepet çmimi Nobel, në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim. Ishte një veprim aq skandaloz saqë edhe vetë shtypi suedez u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”,- ka deklaruar më tej shkrimtari. I pyetur nga mediat nëse ambasadori në fjalë ishte Bardhyl Kokalari, shkrimtari i mirënjohur është përgjigjur me humor “E ku e dini ju.? Ndoshta ka qenë Shahini (i vëllai”, edhe ai është nga Gjirokastra, edhe ai ka qenë ambasador në Suedi...”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›