E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: E vërteta e mbledhjes me demokratët

Deputeti i PD-së së Lezhës, Preç Zogaj, mohon të jenë zhvilluar debatet e dy ditëve më parë

LEZHË – Deputeti i PD-së së Lezhës, Preç Zogaj, ka reaguar dje lidhur me mbledhjen e dy ditëve më parë, me përfaqësues të institucioneve në prefekturën e qarkut Lezhë.

“Takimi i së shtunës me drejtues e përfaqësues të institucioneve në prefekturën e qarkut të Lezhës, është zhvilluar normalisht, si një bashkëbisedim”,- u shpreh deputeti për gazetën “Shekulli”. Duke vijuar më tej, ai ka pretenduar se në këtë takim është diskutuar për ecurinë e projekteve në përfundim të vitit 2008 dhe për perspektivën e zhvillimit dhe punësimit në dritën e projekteve të vitit 2009. Sipas Zogajt, “mbledhja ka nxjerrë në pah punën e mirë të shumicës së drejtorive dhe degëve lokale, që aktualisht janë në pararojë në shkallë vendi dhe janë shtruar detyra për përmirësime dhe arritje të reja”. Deputeti vazhdoi se mbledhja e së shtunës, si çdo takim tjetër i ngjashëm, ka nisur e përfunduar “pa asnjë lloj incidenti apo cenimi të etikës”. “Nuk është hera e parë që anonimë të pranishëm ose jo në mbledhje të tilla në Lezhë, referojnë për media të ndryshme dëshirat e tyre për ta parë pushtetin rajonal dhe PD-në e Lezhës në kaos dhe në kundërvënie me deputetin e zgjedhur, çfarë nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur”,- tha Zogaj në prononcimin e tij. Ai vijoi se, fushata në vazhdim të zgjedhjeve në parti e ka hapur e bashkuar si asnjëherë tjetër PD-në e Lezhës, gjë që, sipas tij, konstatohet çdo ditë. Ndërkohë, bëhet e ditur se sot pritet që i deleguari i qeverisë në prefekturën e Lezhës të reagojë në një deklaratë për shtyp. Në këtë deklaratë do të jenë të pranishëm edhe një pjesë e drejtorëve. Nga ana tjetër, një nga drejtuesit e OSSH-së bën të ditur se një nga shkaqet e debateve në takimin me deputetin ka qenë numri i ulët i demokratëve të punësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›