“PS po dhunon të përndjekurit në mënyrë të sofistikuar”

Të përndjekurit, flet Fatbardh Kadilli
“Dhunim në mënyrë më të sofistikuar”. Kështu i ka cilësuar propozimet e Partisë Socialiste lidhur me ish të përndjekurit politikë, deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli. Kadilli u shpreh se propozimet e socialistëve dalin jashtë çdo lloj buxheti të parashikuar nga qeveria dhe se e gjithë kjo është një keqpërdorim elektoral që po bën ndaj kësaj shtrese të përvuajtur në 50 vite komunizëm.
Në këtë kontekst ai shtoi se skema e përcaktuar nga mazhoranca për dëmshpërblimin e tyre është e drejtë dhe e ndershme dhe se rezultatet do të ishin shumë më pozitive nëse shpërndarja do të kishte filluar nga ‘97, vit kur PS mori drejtimin e shtetit.
“Do isha shumë i lumtur nëse PS si trashëgimtare e së majtës të kishte një moment reflektimi dhe pendese për të rikuperuar dëmin ndaj kësaj pjese të shoqërisë. Por po ndodh një tentativë për një përçarje dhe diskriminim i ri ndaj ish të përndjekurve. Nuk mund të ketë propozime të tilla duke ditur se sa është buxheti, janë 22 000 familje që presin dëmshpërblimin. Skema jonë ka qenë e ndershme dhe e drejtë, e pranuar nga vetë grupet që përfaqësojnë të përndjekurit. PS jo vetëm nuk ka reflektuar, por synon të krijojë kosto të reja. Kapitali politik që kanë nuk është investim personal, por është kapitali që ju ka lënë xhaxhai. E shoh me keqardhje përpjekjen e PS-së që po tentojnë ti dhunojnë të përndjekurit në një mënyrë më të sofistikuar. Për 8 vjet qeverisje nuk dhanë asnjë lek për të përndjekurit. Këto janë deformime dhe keqpërdorime. Janë dhënë rreth 50 milionë dollarë dhe mbi 11.000 familje kanë marrë këstin e pare”, tha ai.
Kadilli theksoi se vëmendja e mazhorancës ndaj shtresës së të përndjekurve ka qenë maksimale, pasi është një nga shtresat që ka buruar dhe vetë PD, ndërsa ka shtuar se partia e tij nuk është në garë me të majtët por me parimet dhe objektivat për të përmbyllur me sukses rikuperimin e dëmit që është bërë ndaj kësaj shtrese.
“Ky grupim është një nga shtresat nga ka buruar PD, një nga shtresat që PD ka treguar vëmendje morale dhe politike. PD ka bërë të mundur rikuperimin e një diskriminimi përreth 50 vite me radhë. Janë me dhjetëra e mijëra persona që kanë përfituar ekses në arsim, duke i përjashtuar dhe nga detyrime financiare. Ligji që kaloi në 2007, me një rishikim në 2009 vendosi likuidimin e dëmshpërblimit ndaj kësaj shtrese dhe po punohet për të, por fatura që ka lënë komunizmi është goxha e lartë. Ne nuk po i shfrytëzojmë politikisht, nuk është rasti ynë ky, nuk e hapëm ne këtë debat. Nëse PD do të kishte filluar nga 97 me dëmshpërblimin gjendja do të ishte krejt tjetër. As ne se kemi realizuar dot atë çfarë kishim për të realizuar, megjithatë ne jemi në garë me parimet dhe objektivat tona jo me PS-në. PS ka një mungesë të theksuar mëshire, është një problem shumë i madh”, theksoi më tej ai.