E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadri Veseli, aset i rëndësishëm i PDK-së

Procesi zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës po shkon drejt përmbylljes. Në shumicën e degëve tashmë kanë përfunduar kuvendet zgjedhore, ndërsa Kongresi i partisë parashihet të mbahet nga gjysma e dytë e janarit. Reforma, transparenca dhe prurjet e reja, sipas drejtuesve të PDK-së, e kanë karakterizuar këtë proces të brendshëm zgjedhor.

Procesi zgjedhor, i nisur më 1 nëntor, nga nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, vlerësohet si proces normal. Ai tha se ky proces është në suazat e asaj që është paramenduar, pa tronditje të mëdha dhe me një garë të ndershme dhe transparente.

“Është një garë për forcimin e PDK-së, për rritjen e numrit të anëtarëve, për respektimin e atyre që kanë qenë deri më tani dhe për ruajtjen e unitetit edhe pas Kuvendit Zgjedhor, dhe ky është qëllimi ynë”, tha Kuçi për Radio Kosovën.

Një prej risive të këtij procesi zgjedhor në PDK, është anëtarësimi zyrtar i ish kreut të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli. Angazhimin e tij, Veseli e ka nisur nga baza, nga dega në Mitrovicë. Kuçi beson se ardhja e Veselit e ka forcuar PDK-në.

“Unë besoj që i ka sjellë PDK-së një fuqizim të mëtejshëm dhe unë besoj të gjithë njerëzit janë të ftuar që të jenë në PDK, por njerëzit që janë identifikuar me liri dhe pavarësi të Kosovës, PDK-ja ka dëshirë që të jetë ombrellë e tyre”, tha Kuçi.

Ish kreu i SHIK-ut, nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci konsiderohet si aset i rëndësishëm i PDK-së.

“Ne energjinë dhe potencialin intelektual, moral e kombëtar të Veselit e respektojmë shumë lart dhe ne e shohim si vlerë, si një aset shumë i rëndësishëm për PDK-në, që do të sjellë ai dhe të tjerët risi në PDK”, tha Grabovci.

Nga ana tjetër, analisti Driton Lajçi konsideron se nga zgjedhjet në PDK nuk mund të pritet diçka e jashtëzakonshme. Risinë e gjithë këtij procesi, ai e konsideron anëtarësimin e të rinjve në këtë subjekt politike. Ndërsa, për Kadri Veselin, si anëtar i ri, Lajçi thotë se është vlerë e shtuar në PDK dhe në skenën politike të Kosovës.

“Hyrja e tij në PDK dhe ngjitja në majë të PDK-së, është rrugë me një drejtim. Unë mendoj se Veseli do të jetë figurë politike vendimmarrëse pas Kongresit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Lajçi për Radio Kosovën.

Por, cili do të jetë roli i Veselit në PDK, pas Kongresit Zgjedhor të partisë? Sekretari organizativ i zgjedhjeve, Basri Musmurati, thotë se këtë do ta vendos vota.

“Ku do të jetë roli i tij unë tash nuk mund ta dijë, sepse për këtë do të vendos vota, por si anëtar i ri i cili i ka respektuar të gjitha normat statutare, ai po pritet si një njeri që ka kontribuar dhe angazhuar në PDK edhe deri më tash, pavarësisht se nuk ka qenë anëtar”, tha Musmurati.

Ndryshe, deri më tani, kanë përfunduar zgjedhjet në shumicën e degëve të PDK-së, ndërsa Kongresi i Përgjithshëm Zgjedhor, pritet të mbahet në gjysmën e dytë të muajit janar të vitit 2013. Kryetari aktual i PDK-së, Hashim Thaçi nuk ka ende asnjë kundër kandidat për kreun e partisë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›