Kadri e do për kundërshtar Arsenalin

Bashkim Kadri e ka vazhduar super formën duke shënuar gol në fitoren e Odenses në Greqi ndaj Panathinaikosit me rezultat 4:3, e cila ia mundësoi ekipit danez të kalojë në turnin e fundit kualifikues të Ligës së Kampionëve, para fazës së grupeve.
Sulmuesi i ri shqiptar e shënoi golin e tretë të Odenses. Ai shprehet i lumtur për formën që po e kalon, ndërsa ëndërron që ekipi i tij të përballet me Arsenalin në xhiron e katërt.
“Nuk kam provuar kurrë ndjenjë të tillë. Është një gjë e jashtëzakonshme, komplet një çmenduri. Gjërat po shkojnë si në ëndërr, kam shënuar sërish, nuk e di mirë se çka po ndodh me mua. Por, tashmë kjo më ndodh shpesh. Dua të vazhdoj me këtë ritëm, të mos ndalem assesi”, tha Kadri për ueb faqen daneze ekstrabladet.dk.
Ëndërr e tij e radhës është të luajë në stadiumin Emirates të Arsenalit. Mirëpo, Odenses mund t’i bie shorti të luajë edhe me Bayern Munich, Villarreal, Lyon ose Benfica.
“Do të ishte një ndjenjë e hatashme të luaja kundër Arsenalit. Natyrisht, do të jetë një punë shumë e vështirë për ne, me cilindo ekip që përballemi. Sidoqoftë, ne do të mundohemi të japim gjithçka ndaj tyre”, vazhdoi 20 vjeçari i cili së fundmi është bërë objektiv i disa skuadrave evropiane, sidomos atyre gjermane, pas paraqitjeve të mira të kohëve të fundit.
Odense kishte barazuar 1:1 në shtëpi me Panathinaikosin, ndërsa fitoi 4:3 në Greqi për rezultatin e përgjithshëm 5:4, në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.