Kafeja Ndikimi i saj në shëndet
Të dhëna botanologjike
Prejardhja e kafesë është Etiopia! Aty u zbulua për herë të parë, qindra vjet përpara. Dy llojet më të rëndësishme të kafesë janë Coffea Arabea dhe Coffea Conefora robusta. Fruti i kafesë përmban 2 fara-kokrrat e kafesë, dhe nevojiten 6-14 muaj që të piqen. Një pemë e vogël prodhon 2,5 kg fruta në vit që japin 500gr kafe jeshile dhe 400gr kafe të pjekur. Kulmi i prodhimit të saj është në vitin e 8-të me 10 kg dhe nga viti i 25-të fillon të bjerë. Kush prodhon dhe kush pi? Prodhimi, mbarë botës, u rrit rreth 46% nga 1960-tanë 1990-ën. Tre vendet e para prodhuese janë Brazili, Kolumbia dhe Indonezia dhe pastaj vijnë Meksika dhe Guatemala. Gjithsesi, 2/3 e prodhimit, i mbulojnë Amerika Qendrore dhe e Jugut, ndërkohë që, konsumi më i madh i kafesëështë në vendet perëndimore. Sipas konsumit më të madh, renditen Skandinavia (10kg në vit për person). Më pas vijojnë vendet gjermanofolëse (6-9 kg), Franca, USA-ja dhe Kanadaja (4 -5 kg), si dhe vendet mesdhetare.
Përmbajtja e kafeinës në 150 ml të pijeve të mëposhtme:
Kafe e bluar (kafe turke) 90mg
Kafe e momentit (neskafe) 60mg
Çaj 40mg
Coca-cola 16mg
Kakao 4mg
Dekafeinato 3mg
Nga pema në filxhan
Në vendet prodhuese, farat e kafesë mblidhen me duar ose në menyrë mekanike, duke zhveshur lëvozhgën në mënyrë që të ndahen 2 kokrrat, lahen, thahen dhe vendosen në thasë. Në vendet e konsumit, kokrrat e kafesë përzien për 10-15minuta në temperaturë 100 deri në 230o C, kështu që dehidratohen (përmbajtja e ujit ulet nga 10% deri në 1,3%), zverdhen dhe së fundmi bëhen ngjyrë kafe e errët dhe njëkohësisht pasurohen me aromën e tyre. Në vijim kafeja bluhet trashë, mesatarisht (kafeja e filtrit), hollë (ekspresi), ose shumë hollë (kafeja turke). Largimi i kafeinës kryhet me teknikë më të komplikuar, duke dhënë kështu kafenë pa kafeinë.
Përbërësit e kafesë
Përbërësit e ndryshëm që ndodhen në kafe janë më shumë se dymijë! Më të rëndësishmit në sasi janë karbohidratet (34% e masës se thatë të kafes së pjekur), yndyrnat (17%), proteinat (14%), acide të ndryshme, kripëra metalesh (4%), dhe kafeina (1%). Ekzistojnë, gjithashtu, dhe vitamina si, B3 (ose ndryshe acidi nikotinik). Kafeina përmbahet edhe në pije të tjera, por në sasi shumë më të vogla. Kështu, p.sh., në qoftë se kafeja përmban 90mg në 150ml, çaji përmban 40mg, koka-kola 16mg dhe kakaoja 4mg. Kafeja pa kafeinë përmban vetëm 3mg /150ml. Kafeina është substanca përgjegjëse për ndikimin e kafesë në sistemet e ndryshme të trupit, siç do ta shohim më poshtë.
Ndikimi i kafesë në organizëm
Shumë janë thënë për ndikimin e kafesë në shëndetin e njeriut. Analiza e rezultateve të studimeve të shumta që janë bërë deri tani, ka nevojë për shumë kujdes, sepse ka ndryshime nga njeriu në njeri, si mosha, doza e përditshme e kafesë, konsumi paralelisht i alkoolit, si dhe zakone si duhanpirja. Personat e moshuar janë më të ndjeshëm ndaj ndikimit të kafeinës, sidomos përsa i përket gjumit. Kurse fëmijët nuk duken më shumë të ndjeshëm sesa të rriturit në doza të lehta kafeje.
Te duhanpirësit, ndikimi i kafeinës është mëvogël, kurse konsumi i alkoolit apo përdorimi i kontraceptivëve ulin largimin e kafeinës nga organizmi. Ndikimi i njohur i kafeinës i referohet sistemit nervor. Në doza të logjikshme përmirëson aftësitë mendore, sepse shkakton rritje të “vigjilencës”, si dhe forcon memorien. Në tru kafeina shkakton kontraktim të enëve të gjakut, kurse në enët periferike shkakton relaksim të tyre. Pra, nuk është rastësi që përdoret në ilaçet kundër migrenës. Por, doza të ekzagjeruara të kafeinës shkaktojnë nervozizëm, ankth dhe pagjumësi. Në më të shumtën e njerëzve, simptomat e padëshiruara shfaqen pas një konsumi prej më shumë se 600mg/ditë (4filxhanë 150ml). Studime amerikane kanë treguar se doza shumë të larta kafeine (më shumë se 5gr kefeinë ose 75 filxhanë kafe), provokojnë helmim, kafeinizmin që mund të shkaktojë koma vdekjeprurëse. Së fundmi, duhet të theksohet që mund të shfaqet vartësi ndaj kafesë dhe kjo jo për arsye të kafeinës, por të një përbërësi tjetër të kafesë që quhet methilksanthinë.
I shumëdiskutuar është dhe ndikimi i kafesë në zemër. Në doza të zakonshme nuk shkakton as hipertension, as takikardi (rrahje të shpejta të zemrës). Këto simptoma mund të shfaqen pas konsumit të dozave, më shumë se 90mg (1 filxhan 150ml), ose dhe në doza më të vogla te njerëzit që kanë çrregullime të ritmit kardiak.
Përsa i përket sistemit gastrointestinal (stomak -zorre) ndalohet konsumi i kafesë për personat që kanë simptoma urthi, (djegie), gastrit, ulçer. Megjithatë, rezultatet e kërkimeve janë kontradiktore. Duket se ka një nivel ndjeshmërie të stomakut dhe zorrëve që ndryshon nga personi në person.
Kafeja nuk ndikon te mëlçia, përkundrazi mund të pengojë krijimin e një lloji guri në tëmth.
Edhe një informacion i rëndësishëm: konsumi i kafesë, pak para konsumit të alkoolit, e rrit absorbimin e këtij të fundit, me rezultat dehje të përshpejtuar!
Në aparatin e frymëmarrjes është provuar që kafeja ul krizat e astmës në sajë të kafeinës, e cila ka veti relaksuese për bronket.
Nga pikëpamja endokrinologjike (hormonale), është vënë re se intensiteti i çrregullimeve që kanë gratë para ciklit të menstruacioneve ka lidhje me sasinë e kafesë që ato konsumojnë. Por duhet shumë kujdes në interpretimin e këtij fenomeni, pasi mund të ketë 2 shpjegime: ose kafeja i forcon simptomat, ose për hir të simptomave rritet konsumi i saj…
Anët pozitive Anët negative
Rritje e vigjilencës (të qenurit esëll mendërisht) Mund të shkaktojë nervozizëm, ankth, pagjumësi
Pengim i formimit të gurëve në tëmth Mund të shkaktojë vartësi
Rritje e djegies së energjisë (kalorive) Rrit probabilitetin e dështimit
Rrezikojnë më pak për shfaqje diabeti II Rrit kolesterolin
Ul rrezikun e shfaqjes së parkinsonit
Ndihmon rendimentin fizik të sportistëve
Nuk është kancerogjene
Ashtu si per gjithçka, edhe peer kafen rekomandojmë …me masë!