Këngëtaret nga Shqipëria që harbojnë netët e Gostivarit
Jeta e natës në një qytet, ku burrat i mbyllin gratë në shtëpi, por janë klientët e rregullt të lokaleve ku “këndojnë” vajzat e zhveshura nga Shqipëria
Ajo që dinë të bëjnë më mirë është... të zhvishen. E kjo mesa duket në Gostivar ka vlerë. Shumë nga vendësit paguajnë qimet e kokës për të parë gjokse të dala apo dhe vithe që tunden. Kaq mjafton. Vajzat qëvijnë nga Tirana dhe punojnë në lokalet e natës këtu, fitojnë bakshishe të majme. Zyrtarisht janë “këngëtare”.
E meqë jemi te muzika, (në të gjitha lokalet këndohet), një zë në stonim të plotë shoqëron “kërcimtaret” që s’lënë tavolinë pa respektuar. Në Gostivar ka mbi 10 lokale të tilla, ku pjesa më e madhe e vajzave që punojnë janë nga Shqipëria. Sipas vendësve në këto lokale ka nisur edhe karriera e disa vajzave që kanë bërë “hajër” dhe në Tiranë më pas, si Lori, Rovena Stefa, Rozana Radi etj. Në Gostivar mëson se jo rrallë herë, në vende disi më të fisme, ka qënë e ftuar shpesh edhe këngëtarja korçare Eli Fara.
Qëndrojnë në krye të sallës, në një tavolinë enkas për to. Kanë të veshura fustane që nxjerrin në pah pjesë intime të trupit. Rreth orës 22.00, në lokal fillojnë të vijnë klientët e parë. Janë vetëm burra, nga mosha 25-ë e deri tek të 70-at. Janë të përnatshëm në lokale të tilla dhe njihen si “adhuruesit” e vajzave që punojnë në këto lokale.
Entela, një prej vajzave që punon prej 3 vjetësh në lokalet e Gostivarit ka klientët e saj. Prej tyre vajza rreth të 30-ve fiton në natën më të keqe 50 euro. Entela është vajza më e bukur e lokalit në qendër të Gostivarit ndaj dhe adhuruesit i ka më të shumtë. Në ndryshim nga “kërcimtaret” e tjera Entela ka mbaruar shkollën e mesme dhe është nga Tirana.
Të tjerat janë kryesisht nga rrethe të thella të vendit, si Malsia e Madhe, Tropoja, Librazhdi apo edhe Erseka. E vetmja gjë që shohim të bëjnë për orë të tëra është të enden nëpër sallën e lokalit me një kurs sa më sensual për të zgjuar “zemërgjerësinë” eklientëve.
Megjithatë asgjë nuk është aq e lehtë sa duket. Pa lejen e “tutorëve” është krejtësisht e pamundur për t’iu afruar këtyre vajzave. Për të mbijetuar në një vend të huaj dhe pse flitet shqip, ato më të zgjuarat kanë gjetur zgjidhjen më të sigurt. Një të dashur “të fortë” që veç të tjerash, garanton që klientët e këtyre lokaleve, nuk do ta “kalojnë kufirin” me vajzat kërcimtare.
Po të jesh “femna e Vandamit”, (kështu e quajnë një prej të fortëve në Gostivar), askush nuk guxon as të t’i hedhë sytë në qytet. Ajdin Fejzullau, që ka agjencinë e vetme të taksive në Gostivar, “Buli Gold” di shumë për këto vajza dhe jetën e tyre. Shpesh ka parë vjaza që rrihen keqas, por askush nuk guxon të hapë gojën. Djaloshi tregon se në të 10 lokalet e Gostivarit pjesa më e madhe janë vajza që punojnë nga Shqipëria, Bullgaria, dhe Serbia. Ajdini të rrëfen se në këto lakale kanë punuar këngëtare si Lori, Rozana Radi, Rovena Stefa apo edhe të tjera që taksisti nuk ua mban mend emrat. “Vijnë punojnë dy apo 3 vjet dhe pastaj kthehen në Shqipëri. Sa kohë që punojnë këtu janë të detyruara të jenë femrat e ndonjërit në të kundërt i pret e zeza,”- të thotë Ajdini.
Edhe vetë Ajdini ka një status prej “të forti” në qytet. Ai na thotë se policia vendase rrallë herë ndërhyn kur ka sherre për vajzat. Në të shumtën e rasteve shefat e policisë janë miq specialë të lokaleve të tilla.
Në fakt kjo miqësi u ka zgjatur dhe qëndrimin vajzave në Maqedoni. Pjesa më madhe e tyre kanë në pashaportë vulën e të padëshirueshmeve. Por me 100 euro në këto zona mund të gjeshë një pashaportë me një kombësi tjetër. Këtë zgjidhje ka bërë Entela. Por jeta e saj është si një lakuriq nate. Në Gostivar njeh vetëm ato lokale ku ka punuar. Por për të ia vlen që pak vite të jetës së saj t’i shpenzojë në këtë mënyrë. Më pas do të rikthehet në Shqipëri. Paratë e grumbulluara do t’i mjaftojnë për të ndërtuar sallonin e saj të bukurisë. Një pjesë e mirë e këngëtarve që gëlojnë sot tregun vendas kështu kanë vepruar. Pse jo edhe përEntelën që ka pagëzuar veten me emrin artistik të kërcimtares.
Heshtja e frikshme që rrethon Gostivarin
Në Gostivar, mëngjesi është aq i qetë sa zëri i imamit të xhamisë së vjetër dëgjohet deri në dalje të qytetit. Njerëzia i marrin punët me nge dhe vetëm rreth orës 11-të qyteti nis e gjallërohet. Rrugët janë të mbushur me burra, po ashtu dhe lokalet. Ndërsa gratë që të zë syri përgjithësisht janë të mbuluara. Përgjithësisht gostivarët nuk i nxjerrin gratë në punë. Në Gostivar ka shpesh nga ato që quhen “përleshje mes bandave”, por në mediat vendase rrallë herë pasqyrohen ngjarje të tilla.
Rrënojat e një diskoje në të dalë të qytetit të Gostivarit ende të kallin datën. Shoqëruesi ynë, Hakiu, një burrë rreth të 50-tave që krenohet me 16-tëshen e tij, (tip pistolete) të tregon se lokali është hedhur në herë. Ka ndodhur para dy muajsh ndërkohë që asnjë person nuk është akuzuar për këtë ngjarje.
Pronarët e lokaleve të natës janë kryesisht djem të ardhur nga vendet perëndimore, që për hirë të aktiviteteve që kanë ushtruar u është ndaluar qëndrimi, në Gjermani, Zvicër, Holandë. Por askush nuk flet publikisht për jetën e natës së qytetit të Gostivarit. Asnjë rrjesht në 3 gazetat shqipfolëse, apo në kronikat televizive.
Pedagogë të universitetit të Tetovës i shmanegn kësaj teme. Të thonë se vendi ka çështje më të mëdha për të diskutuar, ndërsa Ajdini Fezullahu të thotë se kanë frikë të flasin publikisht për këto gjëra. Në tërë trevat shqiptare të Maqedonisë, Gostivari njihet si qyteza më me shumë lokale të këtij lloji. Tashmë është mëse normale që në vende të tilla të të prezantojnë edhe shefat e komisariateve të policisë që kalojnë nja dy orë të mira në këto vende ku vetëm muzikë nuk mund të gjesh.
Refat Elmazi, ish-zv.ministër na thotë se vende të tilla janë strehëza e bandave kriminale. Sipas tij kohët e fundit në trevat shqiptare të Maqedonisë është rritur shumë numri i përdoruesve të hashashit, ndërkohë që ligjërisht lokalet e “kërcimit” janë të ndaluara të ushtrojnë aktivitet të tillë.
Policia vendase, vajzat që “këndojnë” apo edhe “kërcejnë” i njeh si kontigjent të prostitucionit. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë leje qëndrimi. Z.Elmazi të thotë se prej kohësh në këto zona nuk është ushtruar asnjë kontroll policie. Ndërkohë që zyrtarisht aksioni më i madh është kryer para dy vjetësh. Aso kohe janë deportuar jashtë Maqedonisë rreth 150 vajza, pjesa më e madhe e tyre “kërcimtare” nga Shqipëria.
“Dy vjet më parë të gjitha këto lokale kanë qenë të mbyllura. Ka patur një urdhër të ministrit të Brëndshëm për bllokimin e këtyre lokaleve, ndërsa tani jo vetëm që nuk kontrollohen por gjithçka është lënëlirë. Ç’është me e keqja nuk reagon më jo vetëm policia, por as edhe organizatat joqeveritare,”- të thotë Refat Elmazi.
Pak histori për Gotivarin, “qytetin e gostive”
Sipas dokumentit të vetëm nga epoka antike tek historiani Tit Livi (59 p.e.s – 17p. e.s) thuhet se mbreti i fundit i Maqedonisë Pasai (179 – 163) me 10.000 ushtarë pas pushtimit të Uskanës (Kërcovës) pushton qytezën DrauDAK që më pas të pushtohej Oneji (Tetova). Nga këto të dhëna mund të kuptohet se qyteti i vjetër DrauDAK i cili ka pasur rëndësi të madhe, është gjendur në mes të Kërcovës dhe Tetovës, d.m.th. Gostivari i tanishëm.
Sipas një legjende emri i tashëm i qytetit është emëruar në kohën e sundimtarit Vukashin edhe atë GOSTI – mysafir. Meqë ka pasur një numër të madh të vizitorëve, miqve nëpër këto vise edhe gjatë periudhës së sundimit të turqve në turqishte vendin e kanë thirur “GOSTIVAR“ (miq ka). Vetë emri Gostivar quhej vend i tubimit të miqve “Qyteti i miqve”. Në vitin 1850 gjeologu dhe balkanologu Ami Beu në përshkrimet për Tetovën në mes të tjerave në një pjesë thotë se në Pollog gjendet “fshati i madh” Gostivari, ndërsa si qytet Gostivari për herë të parë është përmendur në dy shkrimet e shekullit XIX. Sipas tyre ky vendbanim i Pollogut ka formuar çarshinë e vet (qendrën) kurse e marta ka qenë ditë pazari. Në vitin 1874 qyteti ka pasur 400 shtëpi, rreth 2000 banorë, ndërsa në fund të shekullit të njëjtë 3500 banorë.
Bazuar në shkrimet e Abdylhaqim Doganit, Gostivari merr emrin nga vajza e ardhur nga Tivari që për vendbanim ka zgjedhur këtë qytet. Në gjuhën lokale vajza është gocë edhe ajo nga Tivari, prandaj del emri Gostivar nga goca e Tivarit. Qyteti i Gostivarit gjendet nëpër anale historike nga historianë në zë të cilët japin të dhëna të rëndësishme për ekzistencën, strukturën, etj., që vërehet edhe në të dhënat statistikore që i jep etnologu bullgar Vasil Kincev, sipas të cilit në Gostivar në fund të shekullit XIX ka pasur 3735 banorë, 3180 shqiptarë, 310 të krishterë (maqedon, sërb) 200 romë (cergë), 20 turq dhe 25 vlleh. Ndërsa sot, statistika e Gostivarit është:
Nacionaliteti Numri Përqindja
Shqiptarë 54038 66.6%
Maqedonë 15877 19.5%
Turq 7991 9.8%
Romë 2237 3.8%
Vllehë 15 0.01%
Serbë 160 0.19%
Boshnjakë 39 0.04%
Të tjerë 685 0.84%
Gjithsej 81042 100%