E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Podgoricë: Të ruajmë Liqenin e Shkodrës

Në prani të drejtuesve të Akademisë së Shkencave të dy vendeve respektive, të mbledhur për të kumtuar në këtë Konferencë, Presidenti Topi vlerësoi lart përpjekjet dhe realizimin e kësaj veprimtarie shkencore nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve tona.

Në vijim të fjalës së tij, Presidenti vuri në dukje se Liqeni e Shkodrës përbën jo thjesht një pikë takimi fizike të trevave që kufizojnë atë. “Ai është një bashkim i kulturave dhe historisë së dy popujve të cilët sot më shumë së kurrë kanë bashkuar edhe aspiratën e tyre për t’u integruar duke dhënë shembullin e shkëlqyer të fqinjësisë së mirë”, u shpreh Topi.

Ai ka nënvizuar se “nxitja e zhvillimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve dhe sidomos atyre turistike, mendoj se duhet të jenë një përparësi për të gjitha strukturat e të dy vendeve tona.” Në vijim, pasi bëri një përshkrim të detajuar të vlerave historike, tradicionale dhe në veçanti të vlerave dhe pasurive të ekosistemit dhe të biodiversitetit të këtij rajoni jashtëzakonisht të rëndësishëm, Presidenti Topi apeloi që “të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm në politikat e ruajtjes, mbrojtjes së kësaj pasurie mjedisore dhe padyshim shfrytëzimit të saj me efiçencën dhe kujdesin e duhur.”

“është e domosdoshme që dy vendet tona jo vetëm të hartojnë projekte e plane të përbashkëta, të shfrytëzojnë financime të ndryshme, që vendet e BE-së ofrojnë me shumë zemërgjerësi, por në mënyrën të shpejtë t’i venë në zbatim, në të mirë të komuniteteve që i shfrytëzojnë ato”, vuri në dukje Presidenti, ndërkohë që nënvizoi se “gjetja dhe zbatimi i instrumenteve efiçente mbështetëse të këtyre projekteve të përbashkëta, duhet të kthehet në një moto e shtysë të spikatur të sistemeve tona shkencore akademike.

”Duke u ndalur në fjalën e tij dhe në disa prej problemeve të përmbytjeve me të cilat u përball kjo zonë gjatë periudhës së dimrit, Kryetari i Shtetit u shpreh se “për probleme të rëndësishme si këto, përgjigja duhet të vijë nga shkenca, e cila vihet direkt në shërbim të qytetarëve.”

Në përfundim u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis dy Ministrave të Mjedisit në prani të Presidentit Topi dhe Presidentit Vujanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›