E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaja: Më plagosën njerëz të politikës. Dosja në polici

08/04/2011  Pas 24 orësh akuza ia referon sërish policisë materialin. Nuk ka prova për autorët

TIRANE- Pa mbushur ende 24 orë nga delegimi i dosjes së Drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës Ardit Kaja në Prokurori, kjo e fundit ka vendosur ta delegojë sërish materialin në policinë e kryeqytetit për mungesë provash. Studimi dhe analizimi i të dhënave të mbledhura nga agjentët e policisë kanë shërbyer vetëm për regjistrimin e procedimit penal dhe kualifikimin e akuzës atë të “vrasjes me paramendim” të mbetur në tentative. Ndërkohë për sa i përket identifikimit të autorëve në dosje nuk ka pasur asnjë të dhënë konkrete, që mund të sillte dyshime të arsyeshme mbi personat që pak ditë më parë në qendër të Tiranës qëlluan me pistoletë me silenciator Drejtorin e Inspektoratit Ndërtimor në Bashki, Ardit Kajën. Në procesverbalet e dëshmisë, ky i fundit ka treguar disa emra personash që mendon se mund të kenë gisht në atentat, por nga verifikimet e policisë rezulton se asnjëri prej tyre nuk duket se është i implikuar në këtë çështje. Emrat e dhënë nga i plagosuri Kaja, i referohen pistës politike dhe jo dyshimeve të tjera që janë ngritur lidhur me këtë çështje. Aktualisht dosja hetimore është rikthyer në polici, ku së bashku me të specialistët e Prokurorisë kanë përpiluar dhe një relacion me detyrat konkrete që duhet të kryejnë oficerët në terren dhe jo vetëm, për zbulimin e autorëve të atentatit që tronditi në mes të ditës qendrën e kryeqytetit. Për këtë çështje policia dhe Prokuroria ngritën dyshime se atentati kishte lidhje me detyrën e Kajës, mirëpo ky i fundit, ashtu si në daljet publike dhe në dëshminë e dhënë para prokurorëve ka treguar se ngjarja ka prapavijë politike, duke akuzuar direkt militantë dhe përfaqësues të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Këtë akuzë, Ardit Kaja, e mbështet në faktin se një ditë më parë ai kishte pasur përplasje fizike me anëtarët e kësaj force politike, ku shkak janë bërë heqja e flamujve dhe posterave elektorale. Nga ky atentat, zyrtari i Bashkisë së Tiranës mbeti i plagosur me një plumb në këmbë. Dy persona me motor që në kokë mbanin skafandra i janë afruar automjetit të tij, duke qëlluar vetëm një herë me armë dhe lënë të plagosur Kajën. Menjëherë ky i fundit ka lajmëruar policinë e Tiranës, e cila ngriti disa postblloqe në rrugën e “Barrikadave”, “Qemal Stafa”, por pa mundur të arrestojnë dy personat që ndodheshin mbi motor. Ndërkohë që forca të shumta policie janë dislokuar në vendin e ngjarjes, ndërsa Ardit Kaja është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku dhe ka marrë ndihmën mjekësore.

Lidhjet me dy atentatet

Duke marrë parasysh postin e Drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, hetues të policisë së kryeqytetit kanë ngritur dyshime se atentati ndaj Ardit Kajës lidhet ngushtë me dy atentatet e tjera të ndodhura në Tiranë. Bëhet fjalë për atentatet e dështuara ndaj biznesmenit Dritan Avllaj ose “Tan Lepuri”, si dhe biznesmenit Sauku, makina e të cilit u hodh në erë nga një sasi eksplozivi. Policia duket se ka informacione të sakta për këto tre ngjarje, por që nga ana tjetër nuk ekzistojnë prova për të faktuar këto dyshime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›