E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, në fund të muajit priten konkluzionet

08/04/2011  Përfundojnë dëshmitarët e provat shkresore

TIRANE-Procesi gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të Bandës së Durrësit, duket se po hyn në fazën përfundimtare të tij, ku dy palët Prokuroria dhe avokatët mbrojtës pritet që në fund të muajit prill të japin konkluzionet përfundimtare. Aktualisht ka përfunduar dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve, si dhe parashtrimi i provave shkresore, ndërkohë që gjykata i ka dhënë avokatëve dy javë afat për të sjellë disa prova të tjera. Pas parashtrimit të tyre, Prokuroria pritet të lexojë pretencën ndaj 17 të pandehurve të Bandës së Durrësit që akuzohen për një sërë krimesh, duke filluar nga vrasje, rrëmbim personi, organizatë kriminale dhe deri në armëmbajtje pa leje. Kreu i këtij grupi kriminal dyshohet se është i pandehuri Lulzim Berisha, i cili akuzohet për vrasjen e numrit 2 të bandës, Klodian Saliut, si dhe shtetasve Marsel Sotiri, Vrion Curri dhe Arjan Paja. Pritet që në pretencë të lexohet dënimi edhe për të penduarin e kësaj bande, të pandehurin Adriatik Coli, i cili me dëshminë e tij futi në kafaz 16 persona si pjesëtarë të Bandës së Durrësit. Procesverbali i dëshmisë është administruar si provë në dosjen gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›