E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e shinave për skrap, rrezikohen jetët

08/04/2011  Selim Manaj: Treni del nga shinat, ata pasurohen

FIER- Materialet për skrap, ashtu siç po kërkohen gjithkund në Shqipëri, janë kthyer në fenomen shqetësues për Fierin. Pas bastisjeve të rrugëve nga kapakët e pusetave, një tjetër grabitje masive po ndodh në linjat hekurudhore, por kjo e fundit me kosto tepër të lartë për jetën e udhëtarëve. Varfëria duket se ka çuar shumë individë të kërkojnë materiale të ndryshme dhe ç’të mundin për skarp, teksa zbulimi më i fundit i tyre janë gozhdët gjigande, që mbajnë shinat që mbërthejnë trarët. Në një krizë disavjeçare që ka goditur sistemin hekurudhor të transportit, atë e ka prekur edhe heqja e bulonave dhe pjesëve të ndryshme metalike të shinave për t’i shitur si skrap në tregun e hekurishteve. “Ja e shikoni si është bërë dhe askush nuk vë dorë t’i rregullojë. Këtu vidhen natën me tonelata të tëra hekur. Mos të duket se është pak. Njerëzit e shikojnë si burim fitimi hekurudhën sot dhe po pasurohen. Masa nuk merren dhe ata vazhdojnë. Disa herë ka dalë treni nga shinat se lëvizin trarët. Këta e shohin si diçka të lehtë, por kur të ndodhë tragjedia do kujtohen që shinat duhen ruajtur edhe me roje po qe nevoja”,-thotë Selim Manaj. Dukuria ka nisur të shfaqet prej disa muajsh, ndërsa asnjë nuk është vënë përpara përgjegjësisë penale. Fieri në hapësirën e tij ka disa dhjetëra kilometra rrugë hekurudhore, ndërsa frekuentimi i trenave është i tillë, saqë në rast se, shinat dalin nga vendi, pasojat do të jenë fatale për shumë jetë njerëzish. Mustaf Gashi, kreu i hekurudhës, ka deklaruar kohë pas kohe se vjedhjet në masë e kanë bërë tepër të mprehtë rrezikun. Megjithëse është marrë me këtë problem, duke bërë që fenomeni të asimilohet deri diku, sërish shqetësimi mbetet evident. “Kemi kërkuar që të merren masa dhe të vihen përpara përgjegjësisë autorët. Ata që vënë dorë në këto shina një gjë duhet të dinë që këtu luhet me jetë njerëzish. Treni kalon ditën, natën dhe s’i dihet se çfarë ndodh. Prandaj ata duhet të bëjnë kujdes dhe t’i thonë stop kësaj grabitjeje”,-tha Gashi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›