E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Milan-Real, një sfidë e vështirë

Herët a vonë duhet të ndodhte. Kaka në "San Siro" me një tjetër bluzë. Kanë kaluar 160 ditë nga Milan-Roma, 24 maj 2008. "San Siro" përshëndeti Maldinin dhe nuk e dinte ende se ajo s‘do të ishte një lamtumirë vetëm për një person, por një lamtumirë e dyfishtë. Dje Milano priti Kakanë në një nga ditët më tipike të vjeshtës: shi dhe mjegull që nuk mund t‘i ftohë emocionet e rikthimit në qytetin që e ka mirëpritur dhe e ka dashur. Dhe emocioneve u shtohen edhe presionet, të gjitha nga ana e Riki Kakasë. Duke filluar që nga mungesa e Kristiano Ronaldos. Me yllin portugez Reali fluturonte: 7 fitore radhazi. Pa atë është hapur një tunel i një krize, e cila ka çuar Pelegrinin në prag të shkarkimit. Dhe Kaka nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë atë: edhe në ndeshjen e fundit të La Liga, kundër Gedafes, kur ai që i dhuroi një buzëqeshje trajnerit ishte Higuain, njeriu më pak galaktik.

Tani duhet ai, i vetmi ish-"Top i Artë" i mbetur te "të bardhët", kundër një tjetër "Topi të Artë", që më mirë se kështu nuk mund ta quajmë ndryshe. Një tjetër brazilian, Ronaldinjo, i cili në fakt e ka rifituar vendin e tij në fushë dhe më në fund ka filluar të qeshë. Kundër atij që ndoshta për herë të parë ka gjetur rrugën e tij për të mos humbur. Dhe ndoshta, pranë tij, do të jetë një sulmues, Pato, i cili ka marrë mbi vete përgjegjësitë dhe që më në fund ka rigjetur rrugën e golit. Qielli i Milanos së tij të ëmbël, në këto ditë vjeshte, për Kakanë nuk kishte se si të ishte më i trazuar.

Rikardo Kaka ka zbarkuar dje në Malpeza dhe është rikthyer më në fund në Milanon e tij të preferuar. Tani ai mendon se do të marrë një "mirëseardhje të ngrohtë" nga tifozët milanistë, sot në mbrëmje në ndeshjen e Champions League mes ish-Milanit të tij dhe Real Madridit ku bën pjesë tani. "Për atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, pres një mikpritje të ngrohtë, ka thënë braziliani, ish-kuqezi, në momentin që ka zbritur në aeroportin e Malpensas me skuadrën spanjolle. Do të jetë një ndeshje e vështirë". Kaka nuk është dakord me ata që thonë se Reali është në krizë dhe i përgjigjet kështu ish-shokut të skuadrës, Marko Borielo, i cili në një intervistë të djeshme është shprehur se braziliani ka pasur një rënie gjatë viteve të fundit: "Nuk e kam lexuar atë se çfarë ka thënë Marko, por jam i sigurt se ai ka bërë shaka. Është një mik i imi dhe më njeh mirë". Në pasditen e vonë, Reali ka zhvilluar një seancë të fundit stërvitore në stadiumin "Meazza" në prag të ndeshjes së mbrëmjes së sotme, të vlefshme për turin e katërt të fazës së grupeve në Champions League. Do të jetë gjermani Feliks Bryh gjyqtari që do të drejtojë Milan-Real Madrid. Ndërsa trajneri Pelegrini ka lënë në shtëpi Gutin. "Rebeli" fajtor, pasi ka ofenduar trajnerin pas humbjes së turpshme 0-4 në Kupën e Mbretit ndaj Alkorkon, nuk është mes 25 të përzgjedhurve, ku nuk mungon edhe Metzelder, një nga protagonistët më negativë të dështimit të së mërkurës së kaluar. Mungon po ashtu edhe Kristiano Ronaldo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›