E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali, vetëm disfata në "San Siro"

Ndeshja e sotme në fushën e Milanit parashikohet si mjaft e vështirë për Realin e Madridit. Në fakt, historia tregon se "merengues" nuk kanë fituar asnjërën prej pesë sfidave të mëparshme të zhvilluara në "San Siro". Përballja e parë e regjistruar mes dy prej klubeve më të mëdha në botë daton në vitin e largët 1956, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve (në atë periudhë trofeu quhej Kupa e Kampioneve). Më 1 maj të atij viti, kuqezinjtë triumfuan 2-1 përballë Realit. Sfida e dytë në Milano është luajtur tetë vjet më vonë, më saktësisht më 13 shkurt 1964. Edhe në atë ndeshje skuadrat u përballën në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve, por këtë radhë italianët fituan me rezultatin e pastër 2-0. Më pas vjen fitorja më e thellë e Milanit përballë Realit, 5-0 më 19 prill 1989. Ajo ishte një prej ndeshjeve më të paharrueshme në historinë e kuqezinjve, por edhe një prej disfatave më të rënda për madrilenët. Ndeshja e katërt u luajt pak muaj më pas, më 18 tetor 1989, e cila u mbyll sërish me fitoren e "Djallit", me shifrat 2-0. Përballja më e fundit në "San Siro" është ajo e 26 nëntorit 2002, e vlefshme për fazën në grupe të Champions-it. Milani fitoi 1-0, falë një goli të ukrainasit Shevçenko. Në total, statistikat tregojnë se italianët kanë fituar pesë herë dhe nuk kanë pësuar asnjë humbje në shtëpi me Realin, ndërsa kanë shënuar 12 gola dhe kanë pësuar vetëm një. Gjithsesi, futbolli ka treguar se historiku i përballjeve ka pak vlera në fushë dhe se gjithçka mund të përmbyset. Në fakt, edhe 11-shi i Leonardos fitoi 3-2 në "Santiago Bernabeu", fushë nga e cila Milani nuk kishte dalë asnjëherë i fituar. Për më tepër, kur kujton se italianët vijnë në këtë sfidë pas dy humbjeve në shtëpi, ndërsa Reali ka sulmin më të fortë të aktivitetit, me 10 gola në tri ndeshjet e para. Për spanjollët, problem është mungesa e Kristiano Ronaldos, golashënuesit më të mirë në Champions me 4 rrjeta. Përpara dëmtimit të yllit portugez, "merengues" i kishin fituar të shtatë ndeshjet e luajtura, ndërsa mungesa e Ronaldos solli krizën e rezultateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›