Kaka e "Topi i Artë": Votoj Mesin, por fiton K. Ronaldo
Braziliani i Milanit, Kaka, e cilëson të mbyllur garën për "Topin e Artë". Mesfushori beson se pasardhësi i tij për trofeun prestigjioz do të jetë Kristiano Ronaldo. Megjithatë, nëse do të ishte njëri prej gazetarëve që kanë të drejtë të votojnë në anketën e "France Football", Kaka nuk do të hezitonte të mbështeste Lionel Mesin. "Për mendimin tim, favoriti është Kristiano Ronaldo", tha Kaka. "Ka fituar dy tituj madhorë me Mançesterin, ka realizuar shumë gola (42 vetëm në sezonin e kaluar). Besoj se portugezi do të jetë pasardhësi im. Megjithatë, Mesi e meriton këtë trofe. Është lloji i lojtarit që e vlerësoj jashtëzakonisht. Po të votoja, do të mbështesja atë, por unë nuk jam gazetar". Në fund, braziliani shtoi: "Do qëndroj te Milani deri në momentin kur do të vlerësoj se skuadra është ambicioze. Nëse shoh që nuk ekziston më dëshira për fitore, do largohem. Por, për momentin dua sërish ‘Topin e Artë‘: nëse nuk e marr vitin e ardhshëm, synoj ta fitoj brenda 2010-ës".