E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Anglia e mbushur me simulues

"Nuk jam më trajneri i Çelsit, prandaj nuk duhet të shqetësohem se kush i mbron interesat e atij klubi dhe besoj se është e drejtë të jap mendimin tim se Fernando Torres është një simulues, po ashtu edhe Drogba, Kristiano Ronaldo e Robin Van Persie". Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, flet kundër të gjithëve dhe tashmë që Anglia dhe Çelsi janë larg, lëshon edhe disa akuza në drejtim të "fair-play" të Premier League.

Simulimi - "Futbolli anglez kritikon shumë kulturën e simulimit, por më pas e përgënjeshtron atë", ka bërë të ditur Murinjo në një debat të zhvilluar në "feelfootball.com", i bërë publikë në faqet e djeshme të gazetës "Mundo Deportivo". Trajneri zikaltër më pas ka shtuar: "Besoj se Drogba është tashmë më i fortë sesa në kohën kur unë e drejtoja Çelsin, dhe Ronaldo e Torres duhet të jenë më të fortë sesa janë, nëse ata mendojnë se do të vazhdojnë të luajnë futboll, nënvizon Murinjo. Por mund të thuhet krejt e kundërta për momentin, pasi ata janë shndërruar në lojtarët, në favor të të cilëve janë dhënë më shumë penallti në pesë vitet e fundit". Por faji nuk është vetëm i tyre. "Në Angli, trajnerët i mësojnë lojtarët të luajnë futboll, në Itali, Spanjë e Portugali mësojnë se ajo që vlen është vetëm fitorja, vazhdon ai. Unë e urrej simulimin dhe mashtrimet, edhe pse më duhet të them se nuk jam i lumtur kur një futbollistit tim i japin një goditje dhe ai kërkon të qëndrojë akoma në këmbë. Është e rrallë që një gjyqtar të japë një penallti nëse lojtari nuk rrëzohet". Dhe atëherë është i nevojshëm një kompromis. Dhe ja cili është mendimi i Murinjos: "Në rastin tim, u them lojtarëve të luajnë gjithnjë pastër, por, ndonjëherë, kur pësojnë ndërhyrje të ashpra, edhe të rrëzohen".

Champions - Sot në Champions, Interi ka një ndeshje jo të lehtë në shtëpi. Pret qipriotët e Anorthosisit. Murinjo kërkon vazhdimësi edhe në këtë kompeticion. "Synojmë vendin e parë në grup dhe për ta bërë këtë duhet të vazhdojmë të fitojmë, thekson trajneri portugez. Kjo e sotmja është një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe njëkohësisht e vështirë. Por, unë preferoj të jem i qetë, edhe pse nuk i dihet kurrë se si mund të reagojë pas një ndeshjeje si ajo e Romës. Nëse sot luan shëmtuar, nuk do të jetë skuadra e parë që bën një gjë të tillë, pas një ndeshjeje fantastike. Duhet të luftojmë këtë tendencë, që shpesh është e përgjithshme". Portugezi kërkon kujdes kundër Anorthosisit. "Është nj skuadër e mirë, e kemi studiuar gjatë dhe dua t‘i bëj komplimentet e mia trajnerit Keçbaia. Luajnë mirë, janë të organizuar dhe nuk është rastësi që mundën Verderin. Por, për ne është një ndeshje fondamentale, të cilën duhet ta fitojmë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›