Ronaldo drejt Italisë, Roma është në "pole position"
Ronaldo është shndërruar në lajmin e ditës në Itali. Pas deklaratës së sulmuesit brazilian se "një klub nga Seria A, por që nuk është Milani, më kërkon", mediat filluan të kërkonin të vërtetën. Fillimisht u mendua për oferta të mundshme nga Siena dhe Sampdoria, megjithatë, menaxherët e të dyja klubeve i përgënjeshtruan zërat. Misteri vazhdoi deri në momentin që burime të mirinformuara flisnin për interesimin e një klubi të madh. Sipas tyre, një lojtar i Romës i ka kërkuar informacione Ronaldos rreth të ardhmes: dhe telefonata nuk u krye vetëm për kuriozitet personal... Lajmi nuk solli reagime nga kampi verdhekuq, ku janë më shumë të përqendruar te momenti i keq i skuadrës së Spaletit. Por, sipas disa të dhënave nga njerëzit e afërt të sulmuesit, Roma është më tepër se një spekulim i merkatos: 32-vjeçari preferon më shumë të luajë përkrah bashkëmoshatarit Françesko Toti, sesa të lidhet me PSG-në, apo Mançester Sitin. Ndërsa, menaxheri i tij tha se e ardhmja do të zbulohet më 17 nëntor.