Kaka falënderon "San Siron": Një mbrëmje emocionuese
Një pankartë tek ultrasit dhe shumë duartrokitje: publiku milanist e ka pritur në mënyrën më të mirë rikthimin e Rikardo Kaka dhe ai, talenti brazilian, falënderon ish-tifozët e tij: "Ishte një mikpritje e mirë, e nxehtë, ashtu siç e prisja, shprehet ai. Këtu në ‘San Siro‘ kam përjetuar momente shumë të bukura dhe sërish jetova një mbrëmje emocionuese, i falënderoj të gjithë tifozët. Nuk ishte e lehtë për mua, isha përgatitur për këtë. Kur ka shumë emocione, nuk arrin të japësh më të mirën, por unë u mundova të bëj lojën time dhe ia dola". Në "San Siro" përfundoi 1-1, Milan-Real i afrohen 16-shes së Champions dhe Kaka e analizon kështu ecurinë e skuadrës. "Në dy ndeshjet e fundit (ndaj Getafes dhe në pjesën e parë ndaj Milanit) kemi bërë dy ndeshje të bukura, ku u pa loja kolektive, edhe pse kishim mungesa. Në fillim fitonim falë individualiteteve, tani po shihet grupi. Nuk mjaftojnë lojtarët për të bërë skuadrën, duhet kohë për të krijuar lojën automatike, por dalëngadalë Reali po afirmohet". Duke folur për Milanin, Kaka thotë se "ky grup është shumë i fortë, ka shumë ndeshje gjatë sezonit dhe ndoshta nuk arrin të ketë vazhdimësi, por në Champions, Milani shkëlqen gjithmonë. Presionet? Milan dhe Real janë dy skuadra të mëdha, që duhet të fitojnë gjithmonë, presioni është i njëjtë. Për sa më përket mua, e nisa mirë ndeshjen, pastaj skuadra kaloi një moment të vështirë dhe të gjithë ishim të përfshirë".