Një princ shqiptar në "Scala" të Milanos
E kanë cilësuar si një të ri me një talent të jashtëzakonshëm. Një karrierë premtuese e pret përpara. Baletin e ka në gjak, e ka pasion, dashuri dhe sigurisht, profesionin e jetës. Emri i tij, u është shtuar emrave të balerinëve shqiptarë që janë bërë të njohur për aftësitë e tyre përtej Adriatikut. Eris Nezha është ngjitur më 4 nëntor në skenën e njërit prej teatrove më të mëdhenj, në "Scala" të Milanos. Për baletin "Giselle" atij i është besuar roli kryesor, ai i princit Albrecht, ku ka interpretuar krah një balerine po aq premtuese, Petra Conti, në rolin Giselle. I riu shqiptar ka përcjellë përballë publikut të zgjedhur të këtij teatri, historinë e dashurisë, tradhtisë dhe shpengimit mes dy të rinjve tejet të dashuruar. Ai është princi Albrecht për të cilin vajza e thjeshtë, fshatarja Giselle, do të jepte edhe jetën. Ajo nuk e di nga ç‘derë vjen i riu. Ai i është prezantuar si një njeri i rangut të saj dhe Giselle e do për atë që është. Vallëzojnë të lumtur për aq kohë sa princi nuk i rrëfen se kush është derisa ajo, e mëson rastësisht identitetin e vërtetë të tij. Rivali në dashuri, vë re, mantelin e shtrenjtë dhe shpatën e bukur të princit dhe kupton se ai është dikush tjetër në të vërtetë. Fisnikët e oborrit, të angazhuar në një gjueti kafshësh ndalojnë në fshatin ku çifti jeton i lumtur dashurinë. Mes tyre është edhe nusja e premtuar e Albrecht, një fisnike. Rivali gjen rastin dhe tregon të vërtetën para të gjithëve: Albrecht është princi. Giselle, thellësisht e dashuruar pas tij, çmendet dhe vdes prej dhimbjes. "Giselle" së bashku me "Liqenin e Mjellmave", konsiderohet si një prej baleteve më të rëndësishme dhe më të njohura në botë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një shekull e gjysmë që nga shfaqja e parë në skenë e tij, ai vazhdon të tërheqë publikun falë kërcimit të bukur, si dhe falë gërshetimit të tokësores me botën e mistershme të shpirtrave. Balerini shqiptar, Eris Nezha, vjen para publikut në rolin e princit të dëshpëruar që në mes të natës, i dëshpëruar për vdekjen e së dashurës lutet pambarimisht mbi varrin e saj. Giselle i shfaqet në formën e një shpirti. Mbretëresha e shpirtrave mbledh rreth vetes dishepujt e saj dhe së bashku nisin të vallëzojnë me princin Albrecht. Dëshirojnë që ai të vdesë prej lodhjes. Por Giselle del në mbrojtje të të dashurit të saj. ajo i jep forcë deri në agim, kohë kur shpirtrat janë të detyruar të zhduken. Në "Scala", "Giselle" ngjitet nën koreografinë e Yvette Chauviré. Vetë koreografja është ngjitur në të njëjtën skenë në vitin 1950 ku ka interpretuar rolin e protagonistes Giselle. I riu shqiptar, balerini Eris Nezha, do të ngjitet edhe në datën 13 nëntor për të veshur sërish petkun e princit Albrecht në baletin "Giselle". Balerini Eris Nezha ka lindur në Tiranë në vitin 1982. Ka nisur të studiojë balet klasik në vitin 1992 në Shkollën e Baletit me profesor Shpëtim Dajçin. Në vitin 1998 pranohet në kursin e pestë të shkollës së baletit të teatrit "Scala" të Milanos ku diplomohet në vitin 2002. Falë talentit dhe aftësive në interpretim i besojnë menjëherë role kryesore në shfaqje të ndryshme në teatrin prestigjioz. "Liqeni i mjellmave", "Arrëthyesi", "Bukuroshja e fjetur", "Don Kishoti", "Hirushja" e Rudolf Nureyev, "Romeo dhe Zhuljeta", "L‘histoire de Manon" i Kenneth MacMillan, "Troy Game" i Robert North, "Daphnis et Chloe", "Now and then", "Bolero", "Sacre du Printemp", "Teprimi" i koreografit shqiptar, Angjelin Preljocaj, "Bajadera" etj., janë vetëm disa prej baleteve ku Erisi ka interpretuar si protagonist kryesor. Një sukses për t‘u duartrokitur ky i balerinit shqiptar për të cilin megjithatë rruga për të mbërritur edhe aq e thjeshtë nuk ka qenë. Për të, kujtimi i fundit prej Shqipërisë është ai i të mbrapshtit vitit 1997. Tanke që shëtisnin rrugëve të Tiranës dhe të shtëna armësh prej bandave civile. Atëherë e ardhmja për të dukej se ndrinte vetëm në vendin fqinj, Italinë. Për shumë bashkëmoshatarë të tij ëndrra ndodhi që u thye mes trotuareve, lypjes, skllavërimit dhe prostitucionit. Por për të, nxënës i një shkolle të rreptë baleti në Tiranë, Italia kishte vetëm një qëllim teatrin "Scala" të Milanos. E djaloshi me trupin elegant dhe me vështrimin prej ëndërrimtari, duket se po i realizon një nga një qëllimet që i ka vënë vetes. Ai është pjesë e trupës së baletit të teatrit "Scala" duke marrë pjesë shpesh edhe në turnetë jashtë shtetit që organizon teatri. Ai është ngjitur në skenën e Moskës, Shën Petërburgut, Brukselit etj. Dikush ka thënë se te ky balerin, ajo që të bën përshtypje është aftësia në të kërcyer, por edhe bukuria e tij. Fizikisht dhe artistikisht e kanë cilësuar shumë pranë balerinit të madh rus, Nureyev. Aftësitë teknike të këtij artisti e bëjnë që të dallojë mes të tjerëve si një balerin të shkëlqyer, të gjithanshëm dhe të aftë të interpretojë me një thjeshtësi të skajshme dhe me mjaft harmoni jo vetëm rolet klasike, por edhe ato moderne. Për koreografinë e baletit "Giselle" në "Scala" të Milanos është kujdesur balerina e njohur, Yvette Chauviré, e cila ka interpretuar për herë të parë rolin e Giselle në vitin 1950. Ajo ka zgjedhur ta përcjellë para publikut këtë balet shumë pranë versionit origjinal. "Virtuoziteti i "Giselle" qëndron në faktin se teknika duhet të jetë krejtësisht e padukshme. Unë e kam studiuar çdo evolucion të mundshëm të koreografisë së këtij baleti. Kur e kam kërcyer, fiksimi im ishte që të harroja se këmbët ishin prej mishi... tepër njerëzore. Dëshiroja të dukeshin si një "frymëmarrje", ka thënë koreografja franceze e cila u bë e njohur pikërisht me rolin e Giselle. Baleti do të vijojë të shfaqet deri më 14 nëntor, ndërsa Eris Nezha do të ketë edhe një tjetër dalje në publik si princi Albrecht më 13 nëntor.