E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi: Nuk e kam ëndërruar "Topin e Artë"

Të gjithë lojtarët profesionistë dëshirojnë ta fitojnë të paktën një herë në karrierë, por ka edhe përjashtime. I tillë është rasti i Lionel Mesit, i cili deklaron se nuk ka ëndërruar kurrë ta fitojë "Topin e Artë". Për talentin e jashtëzakonshëm argjentinas, trofeu prestigjioz i "France Football", i barasvlefshëm me "Lojtarin e Vitit në Europë", nuk ishte një objektiv që duhej realizuar me çdo kusht. 22-vjeçari rrëfehet kur mungon më pak se një muaj nga ceremonia ku pritet t‘i jepet çmimi (vetëm në rast se ndodhin surpriza do të ketë një tjetër fitues). Në intervistën e gjatë të dhënë për "Canal+", Mesi rikujtoi momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Nga periudha kur zbarkoi në Katalunjë dhe i vinte turp që të zhvishej përpara shokëve të skuadrës, deri te video që Pep Guardiola kishte përgatitur përpara finales së Ligës së Kampioneve, që "blaugranat" fituan në Romë përballë Mançester Junajtid.

Nuk kishte si të mungonte edhe pyetja rreth çmimit të shndërruar tashmë në traditë nga "France Football". A është "Topi i Artë" një ëndërr që u realizua? Përgjigjja e lojtarit ishte e shkurtër: "Sinqerisht jo, nuk kam ëndërruar asnjëherë ta fitoja këtë trofe". Një "driblim" karakteristik i "pleshtit", si ato që përhapin panik në mbrojtjet kundërshtare sa herë që ai ka topin nëpër këmbë. Megjithatë, Mesi vazhdon më tej duke thënë: "Ky është një çmim special, shumë i bukur dhe natyrisht që të gjithë futbollistët duan ta fitojnë. Ju siguroj se do të jetë special edhe për mua". Ai do të vlerësohet për triumfet e sezonit të kaluar të Barçës, ku skuadra, përveç Champions-it, fitoi edhe La Ligan dhe Kupën e Mbretit në Spanjë. Por, me modestinë që e karakterizon, sulmuesi vlerësoi punën e bërë nga të gjithë shokët e skuadrës: "Mendoj se ‘Topin e Artë‘ e meritojnë të gjithë lojtarët e Barcelonës". Më tej, Mesi shpjegon se nuk ka idhuj. "Maradona? Sigurisht që për mua, ashtu si edhe për të gjithë argjentinasit, ai është lojtari më i madh. Megjithatë, nuk kam jetuar në kohën kur ai luante", tha numri 10 rreth drejtuesit aktual të "seleksion". Marrëdhëniet me Maradonën janë të veçanta, ku pavarësisht ndonjë kritike të vogël, "Pibe de Oro" ka folur gjithmonë me superlativa për 22-vjeçarin. Mesi shtoi: "Diego u qëndron pranë lojtarëve. Ndonjëherë duket sikur ai është një futbollist më shumë në ekip dhe kjo është mjaft pozitive". Handikapi tek Argjentina duket se qëndron te taktika e lojës, e cila lë në hije talentin e yllit "blaugrana", por edhe të talenteve të tjerë të skuadrës. Jo më kot, gjatë kohës kur emisioni nuk ishte në transmetim, Mesi pohoi se "zgjidhja ideale do të ishte të përdorej i njëjti sistem loje si te Barcelona". Sulmuesi foli edhe për një tjetër lojtar që e vlerëson: Zinedin Zidan. "E kam admiruar Zizu-në, mbi të gjitha pasi u transferua në Madrid. Kam pasur kënaqësinë ta shihja në fushë, ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk ka asnjë dyshim që Zidan është një prej lojtarëve më të mëdhenj në histori". Vlerësimet pozitive nuk munguan as për shokun më të ri të skuadrës, Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi bëri që Barça ta harronte shumë shpejt kamerunasin Samuel Eto‘o. Sipas Mesit, prej kohësh skuadra nuk kishte një sulm kaq të fortë në dispozicion, i cili ka ndryshuar edhe mënyrën e lojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›