"Princeshat dhe dragoi" në Teatrin e Kukullave
Teatri Kombëtar i Kukullave për Fëmijë vazhdon përgatitjen për shfaqjen "Princeshat dhe Dragoi", e cila do të ngjitet në skenën e teatrit me regji të drejtorit dhe regjisorit të Teatrit të Kukullave të Sofjes, Kyriakos Argiropulos. Shfaqja e cila do të vijë në bashkëpunim me trupën profesioniste të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kukullave, do të zhvillojë provat gjenerale ditën e premte ku do të organizohet edhe një takim me mediat. Sokol Myzeqari, Shegushe Bebeti, Leonard Daliu, Florinda Mazreku, Jorida Meta, Manjola Merlika do të përcjellin për fëmijët historinë e 4 princeshave krejt të ndryshme sa i përket pamjes së jashtme ashtu edhe karakterit. E para është tekanjoze, e dyta qaramane, e treta e qeshur dhe shumë e bukur dhe e katërta një vajzë shumë e zgjuar. Ajo që i bashkon është personazhi i dragoit i cili shfaqet nga fillimi deri në fund të shfaqjes me dëshirën për t‘u martuar me njërën nga princeshat. Situatat janë të ndërlikuara dhe komike. Nëpërmjet situatave në të cilat gjenden protagonistët fëmijët mësojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.