Nis Festivali Ndërkombëtar Operistik, "Marie Kraja"
Janë përzgjedhur 20 artistët pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar Operistik, "Marie Kraja", i cili do të organizohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në datat 7 dhe 8 nëntor. Puna seleksionuese, e cila ka nisur në fillim të tetorit, ka përfunduar me përzgjedhjen e 20 konkurrentëve të cilët do të paraqiten para publikut në Tiranë gjatë dy netëve të festivalit. Juria përzgjedhëse, e përbërë nga Zana Çela, Burhan Spahiu, Suzana Frashëri, Shqipe Mingomataj, Shqipe Zani dhe Xhovana Dako, kanë studiuar për ditë me radhë plot 92 kandidatura të mbërritura nga të gjitha vendet e botës. Pjesëmarrësit janë Bullgaria, Austria, Italia, Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania, Greqia, Spanja, Holanda etj. Ndërsa shteti i Kosovës do të ketë dy konkurrentë. Këto ditë, organizatorët e drejtuar nga producentja Zana Çela, e cila në të njëjtën kohë është edhe prezantuesja e festivalit, po punojnë me detajet e fundit të kësaj veprimtarie kushtuar muzikës klasike. Në jurinë e këtij viti janë ftuar të marrin pjesë personalitete të njohura të operave botërore. Përveç presidentit të operës "Europa", Nicolas Payne, vjen (për herë të parë në Shqipëri) edhe Luca Targetti, drejtor artistik i teatrit "La Scala" të Milanos.