Kaka kërkesë Leonardos: Fitoje derbin për mua
Rikardo Kaka mbetet personazhi më i dashur në Kombëtaren braziliane. "Po vazhdoj të punoj për të arritur formën optimale", deklaroi fantazisti. Më pas, 27-vjeçari flet për të kaluarën, për Milanin. Me gjithë transferimin te Reali, klubi kuqezi mbetet dashuria e madhe e Kakasë. Ai vazhdon të interesohet për gjithçka që ndodh në Milanelo: është në dijeni të rezultateve në fazën përgatitore dhe të situatës brenda skuadrës. Madje, njeh edhe kalendarin e Serisë A. "Në javën e dytë të kampionatit do të luhet derbi. Milan-Inter është një ndeshje e veçantë: rezultati i saj nuk harrohet lehtë. Shokët e ish-skuadrës sime duhet ta fitojnë këtë sfidë. Në këtë mënyrë, ata do të bënin që frika dhe shqetësimet për edicionin e ri të largoheshin. Milani do të jetë një prej kandidateve për titullin kampion", ishin fjalët e mesfushorit. "Do të më pëlqente të shihja Paton dhe Ronaldinjon që shënojnë në portën zikaltër. Kjo do t‘i shërbente pozitivisht, për t‘u bërë liderët e Milanit në sezonin e ri. Më bëhet qejfi edhe që Pirlo qëndroi; ai është një gjeni i futbollit dhe ka qenë mjaft i rëndësishëm për ekipin në këto vitet e fundit".