E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaher: Jam i zhgënjyer, një vendim i dhimbshëm

Mikael Shumaher u dorëzua përpara dhimbjeve. Shtatë herë kampioni i botës u shfaq dukshëm i mërzitur në konferencën për shtyp në Gjenevë, ku në gjuhën angleze dhe atë gjermane shpjegoi arsyet përse hoqi dorë nga ideja për t‘u kthyer në Formula 1. Ai theksoi edhe një herë se gjendja fizike nuk e lejoi të zëvendësonte Felipe Masën te Ferrari. "Jam shumë i zhgënjyer. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm. Më vjen keq që zhgënjeva edhe Ferrarin dhe të gjithë ata persona në skuadër, të cilët u shprehën entuziastë për rikthimin tim. Falënderoj tifozët dhe të pasionuarit e këtij sporti, që më motivuan më shumë nga sa mendoja. Kur drejtuesit e Ferrarit më telefonuan dhe më ofruan të bëhesha zëvendësuesi i Felipes, iu përgjigja ftesës me entuziazëm, sepse doja të ndihmoja skuadrën dhe miqtë e mi. Shpresoja se gjendja fizike do të përmirësohej", deklaroi 40-vjeçari. "Megjithatë, përgjigje të sakta mund të marrësh vetëm kur provon në pistë një makinë të F1. Prej fillimit e dija se nuk isha në formën optimale, por pas testeve që zhvillova në Muxhelo, kuptova se diçka nuk ishte në rregull. Bëra edhe disa ditë pushim, madje mora edhe ilaçe për dhimbjet. Nuk më mbetet peng që nuk u ktheva, ndoshta do të ishte shumë e rrezikshme po të garoja në këtë gjendje. Përse nuk zhvillova analiza mjekësore përpara testimeve? Mund të bësh analiza pa fund, por përgjigjet që tregojnë situatën e vërtetë merren pasi zbret në pistë. Nuk mendoj se ka një mënyrë më të mirë për të kuptuar forcën fizike të një piloti". Shumaher ka folur edhe për të ardhmen, duke evituar të japë përgjigje konkrete për atë që mund të ndodhë. "Të kthehem sërish në pistë? Nëse e kam kuptuar mirë, nga pikëpamja mjekësore nuk ka asnjë arsye përse nuk mund të marr pjesë në Formula 1. Gjithsesi, kjo është një temë, për të cilën tani nuk dëshiroj të flas. Po përjetoj një prej momenteve më të vështira të jetës sime dhe nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen", shtoi ai. Rreth vendimit të Ferrarit, për t‘ia besuar makinën Badoerit, Shumi tha: "Luka ka qenë gjithmonë kolaudator dhe ka eksperiencë të madhe. Nuk i mungon asgjë për t‘u paraqit mirë. Përveçse e kam shok, ai është edhe mjaft i përgatitur fizikisht: me rolin që ka duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të zëvendësuar pilotët e parë të skuadrës. Në fakt, atij i takonte me të drejtë që të zëvendësonte Felipen". Gjatë konferencës foli edhe mjeku i ish-kampionit të botës, Johanes Peil: "Mikael vazhdon të ketë një fizik sportisti, por pasojat e rënies nga motori vazhdojnë të ndihen. Kur ngiste makinat ‘kart‘ kishte mjaft përmirësime, por drejtimi i makinave të Formula 1 ka specifikë tërësisht tjetër".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›