Kaka në shitje

Dy vite më parë, Leite Kaka si super yll kaloi në Real Madrid nga Milani për 67 milionë euro. Mirëpo, braziliani nuk u paraqit në mënyrën më të mirë në Santiago Bernabeu, kryesisht për shkak të lëndimeve.
Mirëpo, tani drejtuesit e gjigantit madrilen kanë filluar të mendojnë për shitjen e tij. Sipas të përditshmes sportive spanjolle AS, që shpeshherë qëllon lëvizjet e Realit në afatet kalimtare, klubi dëshiron të largojë Kakan, mirëpo me një kusht: oferta duhet të jetë e volitshme.
Edhe pse në Real janë të vetëdijshëm se nuk do të mund të rikuperojnë 67 milionë eurot e shpenzuara dy vite më parë për blerjen e tij nga Milani, ata duan të zvogëlojnë sa më pak humbjen financiare. Në real duket se nuk i besojnë më mesfushorit brazilian, i cili është duke luajtur shumë pak.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që spekulohet rreth largimit të Kakas nga Santiago Bernabeu, por më parë një gjë e tillë është mohuar nga drejtuesit e klubit. Kësaj radhe, sipas AS, krerët e gjigantit madrilen kanë humbur durimin me yllin brazilian. Deri më tani nuk ka ndonjë ofertë konkrete për 28 vjeçarin, i cili një vit më parë kërkohej nga Chelsea.