E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udinese kopjon Barcelonën

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 09:23

Gino Pozzo, i biri i presidentit të Udineses, Gianpaolo, ka insistuar se klubi është duke përcjellë shembullin e Barcelonës në rrugë drejt suksesit. Klubi nga Friuli ka befasuar shumëkënd të dielën, duke fituar 7-0 në udhëtim te Palermo në Serie A.

Udinese është ende e pamposhtur në viti 2011 dhe aktualisht gjendet në pozitën e pestë në tabelë. “Ju e përshkruani si të shkëlqyeshme. Por, në realitet tashmë një kohë të gjatë ne kemi qenë duke punuar në mënyrë të përkushtuar”, tha Pozzo për të përditshmen sportive italiane Corriere dello Sport.

“Udinese e sotme është i vetmi ekip italian që adapton filozofinë e futbollit të Spanjës në atë që ne mundohemi t’u japim prioritet kualiteteve teknike, që mundësojnë zhvillimin e një stili të lojës që e bën dallimin. Diçka e ngjashme me atë që është duke ndodhur te Barcelona, që janë ekipi numër 1 në botë. Ajo që kemi dëshmuar në Palermo është jashtëzakonisht pozitive, sepse fitoret e kësaj natyre në udhëtim nuk janë parë për më tepër se 50 vite”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›