Sabotim në McLaren
Sporti i Formulës 1 është përplot skandale, afera, mashtrime, gënjeshtra dhe incidente. Të hënën është zbuluar fshehtësia e re që mund të tensionojë marrëdhëniet mes disa prej ngasësve kryesorë si Fernando Alonso dhe Lewis Hamilton.
Sipas librit të ri me titullin: No Angel, the Secret life of Bernie Ecclestone’ të autorit Tom Bower, Alonso është munduar të sabotojë Hamiltonin, kolegun e tij të atëhershëm nga ekipi i McLarenit, gjatë garës për Shpërblimin e Madh të Hungarisë më 2007.
Spanjolli Alonso si kampion i dyfishtë i botës kaloi nga Renault në McLaren, por atje gjeti statusin e ngasësit të dytë dhe kjo nuk i pëlqeu aspak. Në pistën në Hungaroring, ai tregoi padurimin e tij ndaj britanikut.
E bllokoi gjatë kualifikimeve dhe në këtë mënyrë të padrejtë fitoi pol-pozitën. Mirëpo, për veprimin e tij u dënua dhe u desh të fillojë garën nga pozita e gjashtë, ndërsa Hamilton u nis i pari.
Kjo nuk ishte e tëra. Para fillimit të garës, Alonso ishte afruar te shefi i ekipit Ron Dennis dhe i vendosi ultimatum:‘Hamiltoni gjatë garës do të mbetet pa karburant ose do t’i dërgoj FIA-s shënime lidhur me McLarenin’ (skandali i spiunazhit të rivalit Ferrari nëse ai nuk llogaritet si ngasësi i parë i ekipit.
Ron Dennis e refuzoi kërkesën e Alonsos, ndërsa Hamilton arriti fitore në garën për Shpërblimin e Madh të Hungarisë (Alonso përfundoi i katërti). Mosmarrëveshjet brenda ngasësve të McLarenit rezultuan që ata të dy të përfundojnë me 109 pikë, ndërsa kampion i botës u bë finlandezi Kimmi Raikkonen në Ferrari me një pikë më tepër.
Nuk ka nevojë të dyshohet se zbardhja e kësaj ngjarjeje do të ashpërsojë sezonin 2011, derisa Alonso vozit për Ferrarin, ndërsa Hamilton është ende në McLaren. Ata të dy konsiderohen në mesin e konkurrentëve kryesorë për titull së bashku me dyshen e Red Bullit, Mark Webber dhe kampionit aktual Sebastian Vettel.