E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kënaqur me fitoren

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 13:19

Erjon Bogdani ndihet i kënaqur me fitoren që e arriti skuadra e tij Cesena të dielën në mesditë kundër ish skuadrës, Chievo. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist, pasi që nxori penallti në minutën e fundit, të cilën në gol e shndërroi bashkëlojtari Luiz Jimenez.

“Sigurisht, është një fitore e merituar, jam i kënaqur për këtë. Penalltia ekzistoi, ishte e pastër. Chievo ishte vendosur shumë mirë në fushë dhe kishte ekip të organizuar. Për këtë unë përfundova shpesh në pozitë jashtë loje. Më vjen keq, por trajneri kërkonte gjithmonë nga unë që ta çoja ekipin përpara sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Bogdani pas ndeshjes.

Fitorja me rezultat minimal 1:0 ndaj Chievos është mjaft e rëndësishme për Cesenan, e cila po lufton për të mbetur pjesë e elitës së futbollit italian. Përkundër këtij trepikëshi, Cesena mbetet në zonën e ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Serie A, me 25 pikë të grumbulluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›