E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikon futbollin modern

Ish mesfushori i Interit dhe kapiteni i Anglisë, Paul Ince ka kritikuar futbollistët e sotëm që bartin shalle, kapela të kthyera mbrapsht, dëgjuese e pantallona të ngushta. Menaxheri i Notts County thotë se kjo dukuri duhet të parandalohet, përndryshe në të ardhmen futbollistët do të veshin funde. Nga Express më 01 mars 2011 në ora 09:29

Ish kapiteni i Anglisë, Paul Ince ka kritikuar futbollistët e sotëm të Premierligës që bartin shalle, kapela të bejsbollit të kthyera mbrapsht, dëgjuese dhe pantallona të ngushta. “Në kohën time si futbollist, tani ndoshta tingëlloj i vjetër, ishin këpucë të zeza ose të bardha dhe kjo ishte e tëra”, tha menaxheri i Notts County për Midlands Late Kick Off.

“Tani kemi futbollistë me shalle, të tjerë që bartin dëgjuese kur janë duke dhënë intervista, që për mua është shenjë e mungesës së respektit, këpucë ngjyrë vjollce, të gjelbra, pothuajse çka do që u shkon ndërmend, pantallona të ngushta, ndoshta më vonë do të veshin funde”, shtoi ai.

Ince është shprehur i brengosur për trendin modern dhe mendon se menaxherët duhet të përkujdesen për këshillimin e futbollistëve të tyre, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e kësaj dukurie.

“Ju duhet të mundoheni të çoni fëmijët tuaj në rrugën e drejtë dhe mendoj se menaxherët duhet të dalin të bashkuar e të thonë: ‘Dëgjoni, nëse ju jeni duke dhënë intervistë, nuk duhet të bartni dëgjuese, as kapela as rroba të mëndafshta e gjëra të tilla’. Nuk mendoj se është mënyrë në të cilën duhet të luhet futbolli. Ne të gjithë, si union i menaxherëve duhet të dalim të bashkuar për t’i dhënë fund kësaj. Është duke u bërë e turpshme dhe frikësohem se mund të bëhet edhe më keq në të ardhmen”, u shpreh Ince i cili nuk pëlqen trendin e veshjes nga futbollistët e sotëm.

“Jam lodhur dhe ngopur duke parë futbollistë, të cilët edhe në mot të mirë veshin pantallona të ngushta dhe këto shalle rreth qafës. Nuk është në rregull. Ju shihni futbollistë duke dalë nga autobusi i ekipit me dëgjuese në vesh. Çka ka ndodhur me bashkëbisedimin ? Ju shkoni në zhveshtore dhe ata të gjithë kanë dëgjuese dhe merren me muzikën e tyre. Kur isha në Inter, ne uleshim për të ngrënë së bashku dhe bisedonim për dy ose tre orë duke u afruar më tepër me njëri-tjetrin”, përfundoi ai.

Ince, 43 vjeç, luajti në West Ham, Manchester United, Inter, Liverpool, Middlesbrough, Wolves, Swindon dhe Macclesfield, ku ishte futbollist-menaxher. Ai dy herë ishte në drejtim të MK Dons, Blackburn dhe tani Notts County.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›