E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mes Orebros e Kalmarit

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 13:25

E ardhmja e Kushtrim Lushtakut do të dihet shpejt. Sulmuesi kosovar pati prova të suksesshme te klubi suedez Orebro, por kur pritej ta nënshkruante kontratën, në çastet e fundit ndryshuan gjërat.

Përkundër kësaj, ekzistojnë ende mundësitë që futbollisti i Munchen 1860 t’i bashkohet këtij klubi. Mirëpo, Orebro nuk është ekipi i vetëm që e kërkon futbollistin nga Drenica.

Për 21 vjeçarin interesim ka shfaqur edhe klubi tjetër nga elita e futbollit suedez Kalmar, ku po ashtu ishte provuar ai disa ditë. Rreth së ardhmes së futbollistit kosovar ka folur për mediat suedeze përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku.

“Orebro është ende në kontakt me Kushtrimin. Mirëpo, edhe Kalmari është i gatshëm të lëvizë. Edhe pse Kushtrimi nuk ishte zgjedhja e parë e Orebros e Kalmarit, mendoj se diçka do të ndodhë shumë shpejt. Në këto momente, ai është kthyer për të stërvitur përkohësisht me Munchen 1860”, deklaroi për ueb faqen suedeze na.se Bunjaku, i cili në këtë rast e luan rolin e këshilltarit të Lushtakut.

Gjithnjë sipas kësaj ueb faqeje, Kalmari i është kthyer interesimit për ish sulmuesin e Drenicës. Ky klub duhet të vendosë shumë shpejt për të ardhmen e Njazi Kuqit, i cili gjithashtu u provua aty, para se të lëvizë edhe për Lushtakun.

Ditë më parë, me Orebron nënshkroi kontratë sulmuesi tjetër kosovar, Valdet Rama.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›