E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka synon Botërorin

Ylli i Real Madridit, Leite Kaka ka bërë të ditur se objektivi kryesor i tij për vitin 2010 është të fitojë Kampionatin botëror me Brazilin. Ekipi i Carlos Dungas gjendet në grup të vështirë me Portugalinë, Korenë e Veriut dhe Bregun e Fildishtë.

Mirëpo, ish-mesfushori i Milanit beson se Brazili mund të shkojë deri në fund, derisa analizon shanset për sukses.

“Kampionati botëror është pa dyshim objektivi kryesor. Kjo garë do të jetë vazhdimësi e gjithë punës së madhe që bën një futbollist në shkallën e klubit”, tha Kaka për të përditshmen braziliane, O Stadio.

“Duhet të përgatitem mirë me Real Madridin, në mënyrë që të jem në formë në Afrikën e Jugut”, shtoi ai.

Kaka është i vetëdijshëm se fitimi i titullit nuk është detyrë e lehtë. Por, ai beson se përgatitja e mirë do të lehtësojë punën.

“Shumë gjëra mund të ndodhin gjatë garës. Ju mund të fitoni ose të humbni, por nëse shkojmë atje të përgatitur mirë, atëherë kemi mundësi të mirë. Ne duhet t’i shfrytëzojmë përgatitjet dyjavore dhe kjo do të jetë vendimtare në përpjekjet tona për të fituar Kampionatin botëror”, u shpreh Kaka.

Brazili mban rekordin prej pesë titujve të kampionit të botës. Duke kaluar nga tema e Kombëtares te një tjetër çështje po aq e rëndësishme, Kaka ka bërë të ditur se planifikon të përfundojë karrierën në klubin e tij të fëmijërisë, Sao Paolo.

“Herët ose vonë do të kthehem në San Paolo”, theksoi Kaka, i cili megjithatë nuk pret që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. “Për tani nuk bëhet fjalë, por në të ardhmen do të kthehem përsëri në Brazil për të luajtur në San Paolo”, përfundoi ai.

Kaka depërtoi nga Sao Paolo, prej ku në vitin 2003 iu bashkua gjigantit italian, Milan. Pas gjashtë viteve të kaluara në San Siro, Kaka gjatë verës së vitit të shkuar u transferua në Real Madrid për 68 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›