Pronari i Cityt dëshiron ta blejë Realin

Pronari i Manchester Cityt, Sheikh Mansour Bin Zayed Nahyan ka shprehur interesim për blerjen e Real Madridit, sipas një njoftimi të pakonfirmuar të dielën.
E përditshmja sportive spanjolle, AS ka bërë të ditur se miliarderi nga Abu Dhabi është i gatshëm të paguajë një miliard euro për gjigantin spanjoll, shtëpia e futbollistëve të klasit botëror si Leite Kaka dhe Cristiano Ronaldo.
Kjo e përditshme spanjolle nuk ka emëruar burimin por theksoi: “Sheikh Mansour Bin Zayed Nahyan ka dërguar përfaqësues të cilët kanë ofruar një miliard euro për ta blerë klubin”.
Por, AS shtoi se një marrëveshje e tillë do të jetë pothuajse e pamundur. Real duhet të marrë leje nga tifozët aksionarë për të ndryshuar statusin ligjor që pastaj do të hapte rrugë për kalimin e marrëveshjes.
Tifozët e Realit votojnë për shumicën e anëtarëve të bordit dhe presidentin e klubit. ASS shtoi se një takim mes Sheikhut dhe presidentit të Realit Florentino Perez mund të zhvillohet në fillim të vitit 2010.
Real thuhet se ka borxh prej 327 milionë euro. Nëse një marrëveshje e tillë do të jetë pranë realizimit, kjo do të zgjonte alarm te klubi i Premierligës, Manchester City, pasi rregullat e Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA thonë se dy klube të ndryshme nuk mund të kenë të njëjtin pronar.