E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë e Kapshticë, nuk ka radhë e pritje në dogana

Festat e fundvitit kanë sjellë një fluks të lartë të emigrantëve në pikat doganore të Kapshticës dhe Kakavijës. Sipas burimeve nga Drejtoria e Kufirit dhe migracionit mësohet se përmes pikës kufitare të Kakavijës kanë hyrë rreth 5500 shtetas dhe rreth 1850 automjete gjatë 24 orëve të fundit. Burime nga pika e kalimit kufitar bëjnë me dije se pavarësisht numrit të lartë të emigrantëve të kthyer nuk janë shënuar orë të gjata pritjeje në këtë doganë.

Po sipas të njëjtave burime mësohet se pala shqiptare punon me 5 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërsa ajo greke me 3, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Kthimi i emigrantëve vjen në kuadër të festave të fundvitit dhe pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë në ditët në vijim. Po ashtu, edhe në kufirin e Kapshticës paraqitet pothuasje e njëjta situatë. Gjatë 24 orëve të fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve që kanë kaluar përmes pikës doganore të Kapshticës.

Autoritetet doganore kanë pohuar se deri tani kanë kaluar në territorin shqiptar në kuadër të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri rreth 4 mijë emigrantë dhe rreth 1200 automjete, ndonëse Kapshtica vazhdon të jetë e bllokuar me Greqinë vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë. Kjo situatë është krijuar nga pala greke, pasi për shkak të dëborës është mbyllur autstrada Kozan -Selanik .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›