Kakavijë, emigranti 60 vjeçar denoncon dhunën nga polici grek
>Një shtetas shqiptar prej 17 vjetësh emigrant në Greqi, pretendon se është keqtrajtuar nga policia greke. Sipas të dëmtuarit, Eqrem Malaj, ngjarja ka ndodhur në Janinë gjatë një konflikti fizik mes tij dhe një polici grek me uniformë. 60- vjeçari nga Vlora, pasi ka mbërritur në Kakavijë, ka denoncuar pranë autoriteteve shqiptare dhunën e pretenduar të ushtruar nga në dëm të tij, nga policia greke.
Emigranti ka marrë tre plagë të lehta në trup, si pasojë e ushtrimit të dhunës, është shprehur për gazetën SOT, mjeku i urgjencës në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, Dilaver Stroka. Sipas tij, 60- vjeçari është mjekuar në gishtin e vogël të krahut të majtë, në këmbën e majtë, si dhe në kokë. Dhuna e ushtruar ndaj tij ka qenë me të vërtetë shtazarake dhe me mjete të forta, shprehet mjeku Stroka. Ndërkohë vetë i dhunuari sqaron ngjarjen duke shpjeguar edhe arsyen. Sipas tij, ai kishte shkuar në Bashkinë e Janinës për dokumente qëndrimi, por aty rastësisht është ndeshur me një polic dhe ky i fundit me të marrë vesh se ishte shqiptar, e ka goditur me shkop gome dhe mjete të forta metali. Plagët e marra janë shkaktuar si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj meje dhe kjo më shtyu të vija në Gjirokastër e të denoncoja dhunën e një polici ndaj meje, shprehet Malaj. Ndërkohë ai ka mohuar të jetë keqtrajtuar nga ndonjë polic tjetër apo njësi policore pas incidentit. Denoncimin nuk e kam bërë në Janinë për të vetmen arsye, pasi ata nuk do të besojnë një emigrant shqiptar, por një polic grek dhe kjo më ka shtyrë mua që të denoncoj aktin e policit në vendin tim, është shprehur për gazetën, 60- vjeçari Malaj. Ndërkohë, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai ka pohuar se autoritetet e policisë lokale pasi kanë marrë në konsideratë denoncimin e emigrantit të keqtrajtuar, kërkuan një takim bilateral me homologët grekë por nga ana e tyre këta të fundit, nuk kanë dhënë shenjë për realizimin e tij brenda një kohe të shkurtër. Shtetasi nga Vlora, jeton dhe punon prej 16 vitesh në Janinë së bashku me të shoqen dhe dy vajzat e tij. Ky ka qenë konflikti i parë i tij me forcat policore në Greqi. Ai shpreson në zgjidhjen e këtij problemi me mjete institucionale ku çdo njeri të marrë atë që i takon, pra ndëshkimin e autorit të dhunës. Ndërkohë, policia greke vazhdon të kthejë mbrapsht emigrantë të paligjshëm nga territori i vet. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia greke ka kthyer në Shqipëri përmes Stacionit Kufitar të Kakavijës 9 emigrantë të paligjshëm, të cilët tentonin të hynin në brendësi të territorit grek.