Gjirokastër, investime për trashëgiminë kulturore
>Qyteti i gurtë i Gjirokastrës dhe restaurimi i monumenteve të kulturës që ndodhen aty, ishin në qendër të diskutimeve në konferencën e djeshme, e cila u zhvillua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve te Kulturës. Në këtë konferencë, drejtori i Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS, Ols Lafe dhe Valter Shtylla, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës prezatuan punën dhe arritjet e realizuara përgjatë vitit 2008 në këtë drejtim.
Fondi prej rreth 1.3 milionë USD i qeverisë shqiptare, i akorduar UNESCO-s, i tenderuar prej saj sipas kritereve ndërkombëtare, me destinacion restaurimin e objekteve monument kulture në qendrën historike të Gjirokastrës, është duke u lëvruar dhe përdorur nga firma restauruese që ka fituar tenderin e organizuar nga UNESCO. Objektet në të cilat po punohet në Gjirokastër sot, me fondet e qeverisë shqiptare, të lëvruara nga UNESCO janë: zona e Qafës së Pazarit dhe banesa të tjera pranë saj si Angonatët, Kabilatët, Gurgaj, Çene etj. Të gjitha këto punime po kryhen në bazë dhe përputhje të plotë me kalendarin e ndërhyrjeve restauruese të përgatitur profesionalisht nga UNESCO dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës në varësi të MTKRS, u shpreh Lafe. Qëllimi i ndërhyrjes restauruese mbetet ruajtja e autenticitetit të Gjirokastrës, si një destinacion me vlera të padiskutueshme Ndërkohë Valter Shtylla, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, tregoi se ciltaishin disa nga problemet që hasen sot në këtë qytet me vlera turistike.Padyshim që kjo është një punë e cila ka vështirësitë e veta. Disa nga problemet më kryesore, pas viteve 90, kanë qenë kryesisht investimet minimale që janë bërë në këtë drejtim. Kështu pas vitit 2005 ne kemi trashëguar një gjendje, si të thuash, jo edhe aq të këndshme të këtyre objekteve, ndërtesave dhe monumenteve me vlera kulturore e ndërkombëtare. Gjithashtu, në restaurimin e tyre një problem më vete ka qenë edhe ai që lidhet me pronësinë e tyre, në drejtimin që shumë objekte kanë bashkëpronarë dhe kjo sjell vështirësi. Por nga ana tjetër emigrimi dhe imigrimi janë dy procese të cilat kanë sjellë gjithashtu problemet e braktisjes dhe më tej dëmtimit të këtyre vlerave u shpreh drejtori Shtylla. Gjithashtu përgjatë konferencës u përmend si një sukses edhe krijimi për herë të parë e Zyrës së Koordinimit dhe Administrimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës, që plotëson kriteret e vendosura nga UNESCO për qytetin e gurtë.