Korçë-Pogradec, shpejtësia merr sërish jetë njerëzish në rrugë
Shënohen viktimat e radhës nga aksidentet automobilistike. Një fëmijë ka humbur jetën dhe dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy aksidenteve të ndryshme automobilistike që kanë ndodhur pasditen e së hënës në rrugën nacionale Korçë-Pogradec. Ecja me shpejtësi e mjeteve në aksin rrugor Korçë-Pogradec është bërë e rrezikshme sidomos për këmbësorët. Ky ka qenë shkaku i plagosjes së dy këmbësorëve që janë aksidentuar në rrethin e Pogradecit, ndërkohë që njëri prej tyre ka gjetur vdekjen. Ndërsa shpejtësia e madhe në qarkullim ka shkaktuar përplasjen e një mjeti në hyrje të qytetit të Korçës, duke lënë të plagosur bashkëshorten e drejtuesit të autoveturës. Burime zyrtare të policisë së Qarkut Korçë bëjnë të ditur se aksidenti më i rëndë ka ndodhur rreth orës 17:30 të së hënës në rrugën nacionale Korçë-Pogradec, në kryqëzimin e fshatit Zagorçan. Policia ka pohuar se Tajar Bashllari, 33 vjeç nga Tirana, duke drejtuar automjetin e tij tip "Mercedes Benz" me targa TR1312K ka aksidentuar dy këmbësore, që përpiqeshin të kalonin nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Për pasojë është plagosur rëndë dhe më pas ka vdekur në spitalin e Pogradecit 10-vjeçarja B.C., nga fshati Buçimas i rrethit të Pogradecit. Ndërkohë, mësohet se ka mbetur e plagosur dhe 20-vjeçarja L.T. 20 vjeçe, banuese në fshatin Gështenjas. Ndërsa aksidenti i dytë automobilistik ka ndodhur në hyrje të qytetit të Korçës, në vendin e quajtur "Globo", ku një makinë është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Stjuard Bardhoshi, 28 vjeç nga Korça, duke drejtuar automjetin e tij tip "Mercedes Benz" me targa KO6299B është përplasur në anë të rrugës dhe si pasojë ka mbetur e plagosur bashkëshortja e tij, Afërdita Bardhoshi, 30 vjeçe. E lënduara është dërguar për ndihmë mjekësore në kryeqytet ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, mësohet se policia ka arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar këto aksidente për "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe po heton këto ngjarje aksidentale, që sipas hetimeve të para kanë ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe.