Kakavijë, rritet numri i emigrantëve të kthyer për festa, krahasuar me 2008
Festa e Pashkës Ortodokse për këtë vit, ka sjellë më tepër emigrantë në raport me vitin e kaluar. Burimet zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, kanë bërë të ditur se duke e krahasuar shifrat me vitin e kaluar, pavarësisht se shifrat e vitit të kaluar kanë edhe një javë më tepër, nga të dhënat rezulton se prej 15 marsit të këtij viti e deri sot kanë hyrë 2.238 shtetas më tepër si dhe 1037 automjete me shumë. Këto të dhëna janë marrë për bazë deri në orën 10:00 të ditës së djeshme.
Gjithsej në Shqipëri për këtë periudhë nga të gjitha pikat kufitare në Qarkun e Gjirokastrës, kanë hyrë 109.606 shtetas, ndërkohë që një vit më parë kishin hyrë 107.000 shtetas shqiptar. Aktualisht fluksi në Kakavijë është normal dhe gjatë ditës së djeshme kanë dalë 4820 shtetas dhe 1450 automjete. Në ditët e para të sezonit që shënon edhe rifillimin e fluksit të lëvizjes së grupeve të vizitorëve në Gjirokastër, organizatat dhe institucionet që kanë në qendër të tyre punën me turizmin, kanë nisur të publikojnë të dhënat e para për vizitueshmërinë në qytetin e gurtë dhe perspektivën e saj për këtë vit. Sipas drejtorit të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit në Gjirokastër, Rajmond Kola, aktualisht tregu i turizmit botëror ka nisur të shfaqë vështirësitë e para si shkak i krizës globale. Por sipas të dhënave që disponon kjo zyrë, gjatë kësaj periudhe duket se vizitueshmëria dhe frekuentimi i qytetit të Gjirokastrës nga grupet turistike, nuk është ndikuar nga kriza globale. Për Kolën vërehet një interesim gjithnjë e në rritje i operatorëve turistikë ndërkombëtarë që të përfshijnë në hartën e tyre turistike edhe qytetin e Gjirokastrës. Gjatë tri muajve të parë të këtij viti, qyteti i Gjirokastrës është vizituar nga rreth dy mijë turistë.