Mediu: Rruga Durrës- Kukës, premtim i mbajtur i qeverisë
Në vijim të turit parazgjedhor jashtë Tiranës, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu së bashku me ministren e Shëndetësisë, Anila Godo kanë vizituar rrugën Durrës- Kukës dhe janë ndaluar në Kalimash. Kreu i PR, duke u ndalur në tunelin e Kalimashit, u shpreh se kjo rrugë nuk është thjesht një infrastrukturë për zhvillim ekonomik, por një lidhje shpirtërore dhe kulturore e të gjithë shqiptarëve.
Gjej rastin të shpreh kënaqësinë, të falënderoj kompaninë që punon këtu, sepse kjo rrugë është një rrugë që bën krenar të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që kanë punuar dhe ëndërruar një gjë të tillë, gjithë shqiptarët kudo që janë, ka theksuar Mediu. Duke folur për këtë investim gjigand, gjatë fjalës së tij kreu i republikanëve ka theksuar se kjo rrugë është një ndër ato investime që do të bëjë çdo shqiptar të ngrihet krenar dhe ka veçuar se është një premtim i mbajtur i qeverisë. Ndër të tjera, ai ka cilësuar këtë rrugë jo thjesht një infrastrukturë për zhvillim ekonomik, por një lidhje shpirtërore dhe kulturore të të gjithë shqiptarëve. Gjithashtu, kryetari i PR-së, Mediu ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Gjakovës Pal Lekaj. Unë jam i bindur se përherë e më shumë vende, do ta njohin pavarësinë e saj, dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do ti japë një shans akoma më të madh Shqipërisë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka veçuar Mediu. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më pranë se kaq, duke u shprehur i bindur se bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve do të jetë përherë e më i madh. Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për arritjet dhe reformat e ndërmarra nga dy vendet. Kryebashkiaku i Gjakovës, ka uruar Shqipërinë për anëtarësimin në NATO.