Kakavijë, sekuestrohen 32 mijë euro të padeklaruara

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Policia Kufitare e Kakavijës goditi sot dy raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia njoftoi se në total u sekuestruan 32 mijë euro dhe 30 mijë lekë të padeklaruara, ndërsa u proceduan penalisht dy persona.
Sipas policisë, në hyrje u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi V. B., të cilit i janë gjetur në çantë, 11 985 euro dhe 30 000 lekë, që nuk i kishte deklaruar.
Gjithashtu në dalje, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi F. I., të cilit i janë gjetur në çantë, 20 000 euro, që ai nuk i kishte deklaruar.
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasit V. B., 66 vjeç, banues në Kuçovë dhe F. I., 69 vjeç, rezident në Greqi”, njoftoi policia.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
/a.f//r.e/