E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama përcjell pjesë nga dëshmia e Rubin në Hagë: Aty ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, ka dëshmuar për dy ditë me radhë në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një pjesë nga dëshmia që Rubin dha sot në Hagë në gjyqin që po zhvillohet kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime gjatë luftës.

“Liria ka emër. Nga dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare”, shkruan Rama.

“Fakti që i burgosuri ka qenë në burg për 5 vjet, pasi u vetofrua të paraqitej në gjykatë, në një kohë kur ishte gati të bënte një marrëveshje paqeje me udhëheqësin serb, më shqetësoi, që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit, kjo më shqetëson”, tha Rubin.

“Më shqetëson që sot ai do të ishte në burg për 5 vjet para se një çështje të mund të fillonte të ndiqej penalisht kur ai ishte vetofruar dhe nuk i ishte dhënë asnjë lirim me kusht. Dikush që po tregon gatishmëri, të paraqitet në gjykatë në çdo mënyrë të mundshme. Pse duhej të ishte në burg për 5 vjet para se të fillonte gjyqi, më goditi si jo lloj i sundimit të ligjit që kisha shpresuar se sistemi ndërkombëtar do të krijonte kur Madaleine Albright krijoi këtë gjykatë. Më falni jo këtë gjykatë, por Gjykatën Penale Ndërkombëtare, më falni Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën. Pra doja të shikoja përgjegjësi individuale për të parandaluar fajësimin kolektiv”, vijoi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Rubin.

“Dhe më duket se ky ishte fajësim kolektiv, vetëm se ai ishte udhëheqësi i UÇK-së. Dhe duke vëzhguar udhëheqësinë e UÇK-së në vendbanimin e tyre në male, në një mënyrë që nuk besoj se e bëri ndonjë person tjetër jashtë UÇK-së. Duke pasur një pamje unike të strukturës së udhëheqësisë së UÇK-së, një moment treditor duke vëzhguar si vepronin, si operonin, kush ishte përgjegjës, kush ishte komandant,  kush ishte nën komandë. Më dukej se kjo ishte vërtet e gabuar dhe jo drejtësi”, nënvizoi Rubin.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit theksoi se “ky është opinion im, nuk jam avokat, po mendoj se kam të drejtë të kem opinionin tim”.

Dëshmia mbrojtëse e James Rubin në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur të hënën, më 15 shtator dhe do të vazhdojë edhe nesër.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›