E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, zbulohet drogë në një autobus të linjës Tiranë-Athinë

Një kontroll rutinë i policisë në doganën e Kakavijës ka mundur të zbulojë një sasi prej 55 kilogramësh drogë të llojit marijuanë në pjesën e tavanit të një autobusi të linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë. Burimet e policisë bënë të ditur se janë arrestuar dy shoferët që drejtonin autobusin në momentin e zbulimit të drogës, të cilët më pas me metodat e përgjimit kanë pranuar se ishin organizatorë të trafikimit në Greqi.

Kontrolli rutinë që bëri të mundur zbulimin e drogës u organizua nga kontrollorët e shërbimit të natës rreth 02:30 të mëngjesit të djeshëm dhe më pas janë thirrur në Kakavijë specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët kanë bërë arrestimin në flagrancë të shoferëve Ilia Goxhai 38 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë dhe Fredinand Nano, 48 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, të cilët janë shoferë të autobusit.

Sipas policisë, në komisariatin janë shoqëruar fillimisht edhe katër pasagjerët e autobusit, por pas hetimeve të para është bërë arrestimi i shoferëve. Autobusi tip "Neoplan", me targa TR7454L, me drejtues shtetasin Fredinand Nano, ishte duke udhëtuar nga Tirana për në Athinë me vetëm katër pasagjerë. Numri i vogël i pasagjerëve dhe ora e vonë që ishte zgjedhur për udhëtimin ka bërë të dyshojnë kontrollorët e Kakavijës, të cilët nuk janë mjaftuar me kontrollin e bagazheve. Droga është zbuluar në tavanin e autobusit, në kasetën e motorit të kondicionerit.

Në vendngjarje ka shkuar më pas edhe grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, i cili ka evidentuar dhe dokumentuar me prova praninë e 55 pakove në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban me peshë një kilogramë secila brenda të cilave ndodhej lëndë narkotike e dyshuar si e llojit marijuanë.

Nga ana policisë janë kryer të gjitha veprimet procedurale si: këqyrja e vendit të ngjarjes, peshimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i lëndës narkotike, sekuestrimi i sendeve personale të të arrestuarve, marrja e deklarimeve të pasagjerëve dhe arrestimi në flagrancë i dy shoferëve të linjës, të cilët tashmë akuzohen për kryerjen e veprës penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283 të Kodit Penal dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›