E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me thikë nxënësi 13 vjeç

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare "Andon Xoxe", që ndodhet në qendër të qytetit të Fierit, pranë Gjykatës së Rrethit. Dy nxënës të kësaj shkolle janë përfshirë në një debat, që ka përfunduar në plagosjen me thikë të njërit prej tyre. Në orën 10:55, kur sapo kishte filluar ora e katër e mësimit, në pjesën e pasme të shkollës "Andon Xoxe", pak metra larg palestrës, dy nxënës janë parë duke u përleshur. Burimet nga drejtoria e shkollës konfirmojnë për gazetën "Shqip" se dy nxënësit e përfshirë në përleshje janë Endri N. dhe Ervis M.. Ky i fundit, sipas burimeve policore, të cilat bazohen nga dëshmitë e nxënësve të tjerë të shkollës, i është afruar bashkëmoshatarit të tij dhe pasi e ka fyer e sharë me fjalë të pista është përleshur me të. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ervis M., 13 vjeç, ka nxjerrë një thikë që mbante me vete në shkollë dhe e ka qëlluar bashkëmoshatarin Endri N. në anën e majtë të trupit, pranë kraharorit, si dhe në pjesën e sipërme të krahut. Pas plagosjes, Ervisi është larguar nga shkolla me ndihmën e një shoku tjetër, ndërsa thikën me të cilën kreu plagosjen e ka hedhur në një kanal pranë fushës ku gjatë verës zhvillohet ora e edukimit fizik. Mësuesit kanë transportuar nxënësin e plagosur drejt spitalit të Fierit. Menjëherë vogëlushi është futur në sallën e operacionit, ku u është nënshtruar ndërhyrjeve speciale të mjekëve. Bluzat e bardha tregojnë se djali 13 vjeç kishte dy plagë të thella, njëra në kraharor dhe tjetra në krahun e majtë. Mjekët tregojnë se me gjithë humbjen e një sasie të madhe gjaku fëmija ka dalë nga rreziku për jetën.

Ndërkohë, policia e Fierit, e njoftuar për ngjarjen nga mjekët e spitalit, ka rrethuar menjëherë shkollën dhe ka marrë në pyetje mësuesit dhe nxënësit që kishin qenë dëshmitarë. Nxënësit kanë treguar për policinë se përgjatë gjithë javës së kaluar mes dy djemve të përfshirë në sherr ka pasur debate, që kanë lindur për motive krejt banale: autori i plagosjes kishte mbetur i fyer një javë më parë, kur bashkëmoshatari i kishte thënë "Je i vogël. Rritu njëherë, pastaj hajde të bësh muhabet me ne". Situata ishte përkeqësuar të premten, kur dy djemtë kishin shkëmbyer sërish fjalë dhe Endri e kishte ofenduar përsëri Ervisin. Pas kësaj mendohet se Ervisi kishte planifikuar ta zgjidhte këtë çështje me anë të thikës dhe kishte pritur të hënën, rifillimin e shkollës, për të vënë "nderin" e tij në vend.

Për policinë, situata është sqaruar brenda pak minutash dhe nuk ka qenë e vështirë gjetja e autorit të plagosjes, i cili është shoqëruar në komisariat së bashku me një shokun e tij. Ervisi është marrë në pyetje në prani të psikologut dhe prindërve dhe ka pranuar krimin e kryer. Ai është vënë nën hetim me akuzën "plagosje e rëndë me dashje", por nuk mund të mbahet i izoluar për shkak të moshës.

Pas kësaj ngjarjeje, procesi mësimor në shkollën "Andon Xoxe" nuk ka vijuar normalisht. Nxënësit dhe mësuesit janë shokuar nga ajo që ndodhi, kurse shumë prindër kanë shkuar dhe kanë tërhequr fëmijët me të shpejtë. Drejtori i shkollës "Andon Xoxe", Ramiz Kalemi, tha për gazetën "Shqip" se është e pamundur të kontrollohen aq shumë nxënës, ndërsa e ka konsideruar këtë ngjarje "një rast sporadik".

Por ky nuk është rasti i parë i shfaqjes së dhunës te nxënësit. Disa ditë më parë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Andon Xoxe" organizuan një përleshje masive me nxënësit e shkollës "Mark Dashi", gjatë së cilës shumë fëmijë u plagosën lehtë dhe pesë prej tyre u shoqëruan në polici. Një vit më parë, në shkollën e Zhupanit në Fier, një nxënëse terrorizoi shokët e klasës dhe mësuesen me një pistoletë. Dy vjet më parë, një 15-vjeçar në shkollën e mesme të përgjithshme "Zhani Ciko" në Patos vrau me thikë një bashkëmoshatarin e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›