E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet shëndeti i grevistëve të urisë

Rëndohet gjendja shëndetësore e familjarëve të të zhdukurve të tragjedisë së 9 janarit 2004, të cilët prej shtatë ditësh kanë hyrë në një grevë urie. Dje paradite, njëri nga grevistët është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, pasi ka shfaqur shenja të theksuara lodhjeje dhe dobësie. Sipas mjekëve të spitalit të Shkodrës, grevisti është vënë nën mjekim dhe situata e tij shëndetësore është përmirësuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, familjarët shprehen të revoltuar, pasi grevistët po lihen në mëshirë të fatit, po i afrohen vdekjes dhe askush nuk po bën asgjë për kërkesat e tyre. Të afërmit e grevistëve i bëjnë thirrje shtetit t‘u japë zgjidhje kërkesave të tyre, pasi çdo ditë që po kalon po vë në pikëpyetje jetën e tyre. Greva e katër familjarëve të të zhdukurve në tragjedinë e 9 janarit 2004 ka nisur shtatë ditë më parë, pasi familjarët kanë siguruar një deklaratë të ish-shefit të krimeve të Vlorës, Sokol Bizhga, që sipas tyre dëshmon se trupat e tetë të zhdukurve janë gjetur një ditë pas tragjedisë nga një anije shqiptare, por më pas janë zhdukur. Duke marrë shkas nga kjo deklaratë, familjarët kanë vendosur të hyjnë në një grevë urie me kërkesën për rihapjen e hetimeve. Të ngujuarit në grevë kanë marrë me vete edhe katër arkivol, për të treguar se janë të vendosur t‘i japin fund jetës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›