E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurohet kurimi në Itali për 16 fëmijë shqiptarë

Spitalet italiane do të kurojnë gjatë këtij viti 16 fëmijë shqiptarë me probleme kardiopatike. Lajmi është bërë i ditur nga njëri prej drejtuesve të klubit "Rotarian" në Itali, Luçiano Pierini në Durrës. Rotarianët kanë në zbatimi projektin "Një zemër për Shqipërinë", i cili parashikon operimin e 16 fëmijëve të sëmurë nga zemra në Ankona të Italisë. Ky projekt vjen pas atij "Jetë për Shqipërinë", që konsistonte në vaksinimin e mijëra fëmijëve kundër hepatitit B. Ndërkohë, rotarianët kanë mbyllur investimin në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit të periferisë së Durrësit. Aty ku më së shumti abuzohet me ujin e pijshëm për shkak të ndërhyrjeve në rrjet dhe mungesën e tij, kohët e fundit ka nisur ngritja dhe sistemimi i shpërndarjes së ujit. "Rotary Club" dhe drejtues vendorë përuruan javën e shkuar përfundimin e punimeve për ujësjellësin e një pjese të ish-kënetës së Durrësit. Investimi prej 10 milionë lekësh të reja u shfrytëzua për shpërndarjen e rrjetit të ujit të pijshëm në "skolinin 4" të Kënetës, ose lagjja "Saline", siç quhet nga vendasit. Guvernatori i distriktit 2090 Luciano Pierini tha se projekti për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit u mundësua nga kontributi i 56 klubeve rotariane. Investimi është përshëndetur nga banorë të zonës informale, të cilët kanë vlerësuar vëmendjen e kushtuar ndaj tyre. Klubi i parë rotarian në Shqipëri u çel në Tiranë në vitin 1992 dhe që nga ajo kohë është shtrirë në shumë rrethe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›