Kontrolli i ushqimeve,miratohet ligji “Për shëndetin publik”
Rregulla të forta për kontrollin e ushqimeve dhe parandalimin e sëmundjeve në vend. Veç tyre një strukturë e mirorganizuar e sistemit të shëndetit publik dhe ndarje të përgjegjësive midis organeve vendore dhe qendrore. Një hapësirë e rëndësishme edhe për vaksinimin e popullatës që do të mundësohet falas nga shteti Ligji “Për shëndetin publik” u miratua dje nga qeveria. Në të është përcaktuar qartazi inspektimi që do të kryhet për të gjitha produktet me rëndësi në shëndetin e njeriut. Një kre të veçantë zënë përgjegjësitë dhe masat për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit, përmes marrjes së sasisë së përshtatshme ushqimore. “Ndërhyrjet në fushën e nutricionit nënkuptojnë dietën e shëndetshme, praktikat e mira të ushqyerjes me gji dhe parandalimin e sëmundshmërisë”, thuhet në ligj. Sipas tij, laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik do të jenë laboratorët e referencës sa i përket besueshmërisë së analizave. “Imunizimi me preparate imunologjike, sipas kalendarit të vaksinimit të detyrueshëm, sigurohet nga shtetit dhe është falas për tërë popullatën rezidente në Shqipëri, pavarësisht nga aftësia për të paguar”, përcakton neni 30. Në ligjin e shëndetit publik janë parashikuar edhe përgjegjësitë e strukturave përkatëse për mbrojtjen e shëndetit nga faktorët mjedisorë. Objekt i ligjit janë bërë shëndeti riprodhues, ai stomatologjik dhe shëndeti në punë. “Të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit janë të detyruar të zbatojnë rregullat e shëndetit në punë. ISHP, mbështetur nga strukturat rajonale, kontrollon shkencërisht faktorët e dëmshëm për shëndetin e punonjësve dhe pasojat që rrjedhin prej tyre”, nënvizohet në nenin 61. Në të theksohet se duhet të merren një sërë masash për të parandaluar sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë.